Angiosarkoma e gjirit
8. maj 2025.

Angiosarkoma – tumor që fillon në qelizat që veshin enët e gjakut dhe limfatike – është një sëmundje e rrallë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga një milion njerëz, vetëm një person në vit do të diagnostikohet me angiosarkomë.
Nëse keni marrë radioterapi për kancer të gjirit, rreziku juaj për zhvillimin e angiosarkomës së gjirit mund të jetë i shtuar: Një raport nga JAMA Oncology i vitit 2019 vlerëson se 1 nga 1.000 persona që kanë marrë rrezatim për shkak të kancerit të gjirit më vonë zhvillon angiosarkomë në gji ose në murin e kraharorit.
Edhe pse rreziku i angiosarkomës është i ulët, është e rëndësishme që personat që marrin radioterapi për kancer të jenë të vetëdijshëm për këtë sëmundje, thotë dr. Michael Wagner, onkolog nga Dana-Farber Cancer Institute. Në këtë mënyrë ata e dinë të lajmërojnë menjëherë mjekun nëse vërejnë simptoma të sëmundjes, si skuqje apo mavijosje në gji që nuk kalon.
Çfarë është angiosarkoma e gjirit?
Angiosarkoma e gjirit është një lloj shumë i rrallë tumori që fillon në enët e gjakut ose limfatike brenda gjirit. Për shkak se numri i rasteve të diagnostikuara është shumë i vogël, studiuesit ende po përpiqen të përcaktojnë mënyrën më të mirë për të ndalur përhapjen e sëmundjes ose rikthimin e saj.
Llojet e angiosarkomës së gjirit
Ekzistojnë dy lloje kryesore të angiosarkomës së gjirit:
Angiosarkoma primare e gjirit
Angiosarkoma primare e gjirit shfaqet te personat që më parë nuk kanë pasur kancer të gjirit. Shkaqet dhe faktorët e rrezikut për këtë lloj nuk janë njohur mjaftueshëm, thotë dr. Chirag Shah, radioterapeut nga Cleveland Clinic, kryesisht për shkak të rrallesisë së kësaj sëmundjeje.
Angiosarkoma sekondare e gjirit
Angiosarkoma sekondare (e njohur edhe si terapeutike ose e shkaktuar nga rrezatimi) e gjirit shfaqet te personat që më parë janë trajtuar për kancer të gjirit. Përveç radioterapisë, disa hulumtime sugjerojnë se heqja e nyjeve limfatike dhe limfedema kronike (fryrja) e gjirit ose krahut mund të rrisin rrezikun e angiosarkomës së gjirit.
Simptomat e angiosarkomës së gjirit
Sipas një artikulli të vitit 2019 të botuar në Translational Cancer Research, angiosarkoma primare e gjirit shfaqet më shpesh te personat në moshën 30–40 vjeç, ndërsa angiosarkoma sekondare zakonisht zhvillohet më vonë në jetë (7 deri në 10 vjet pas rrezatimit).
Simptomat e angiosarkomës primare të gjirit mund të përfshijnë:
trashje të lëkurës në gji
nyje në gji
skuqje me ngjyrë ose mavijosje në lëkurën e gjirit ose krahut
Simptomat e angiosarkomës sekondare të gjirit mund të përfshijnë:
fryrje të gjirit ose krahut
nyje në gji
skuqje me ngjyrë ose mavijosje në lëkurën e gjirit ose krahut
Dr. Olutayo Sogunro, onkolog kirurgjik i gjirit nga Johns Hopkins University, thotë se te shumë persona me angiosarkomë primare shpesh shfaqet një masë në gji, ndërsa angiosarkoma sekondare mund të manifestohet si një formacion i varur në lëkurë, puçërr, ose ndryshim në ngjyrë vjollce apo blu në gji.
„Shpesh pacientët shkojnë fillimisht te dermatologu sepse mendojnë se bëhet fjalë për një problem të lëkurës“, thotë dr. Sogunro, „gjë që shpesh çon në vonesë të vendosjes së diagnozës sepse njerëzit nuk janë të vetëdijshëm se mund të jetë diçka më serioze.“
Si diagnostikohet angiosarkoma e gjirit?
Nëse vëreni një nyje, puçërr ose mavijosje në gji që nuk kalon, drejtohuni menjëherë te mjeku juaj. Mjeku ka gjasa të bëjë një sërë testesh, duke përfshirë ekzaminim fizik, ekzaminime imazherike dhe biopsi për të përcaktuar shkakun e simptomave.
Të dyja llojet e angiosarkomës së gjirit – primare dhe sekondare – mund të diagnostikohen përmes biopsisë së lëkurës ose indit të gjirit, thotë dr. Shah. Lloji i biopsisë do të varet nga simptomat dhe zona e lëkurës së prekur. Gjithashtu, mund të përdoren ekzaminime imazherike për të përcaktuar nëse tumori është përhapur.
Dr. Marilin Rosa, patologe e gjirit nga Moffitt Cancer Center, thotë se zgjedhja e metodës imazherike do të varet nga vendndodhja e lezionit dhe vlerësimi i rrezikut që bën kirurgu ose radiologu. Dr. Shah thotë se shpesh përdor rezonancën magnetike (MRI) ose mamografinë për imazherimin e gjinjve, si dhe skanime PET ose CT për të përcaktuar nëse kanceri është përhapur pas vendosjes së diagnozës.
Si trajtohet angiosarkoma e gjirit?
Për shkak të rrallesisë së kësaj sëmundjeje, janë kryer shumë pak studime klinike, thotë dr. Donald Lannin, drejtor emeritus i Qendrës për Gjirin në Universitetin Yale. Kjo ka çuar në disa mospajtime rreth metodave më të mira të trajtimit, shton ai.
Për të dyja llojet e angiosarkomës së gjirit – primare dhe sekondare – dr. Shah thotë se fillimisht shqyrton kimioterapinë, më pas kirurgjinë, dhe pastaj radioterapinë. Megjithatë, te disa persona me angiosarkoma shumë të vogla, fillimisht mund t'i qasemi ndërhyrjes kirurgjikale, e më pas kimioterapisë.
Te angiosarkoma sekondare e gjirit, dr. Sogunro rekomandon fillimisht operacion për të hequr të gjitha zonat e prekura. Shumica e mjekëve pajtohen se trajtimi kirurgjikal duhet të jetë qasja kryesore te angiosarkoma sekondare, ndërsa roli i terapisë shtesë si kimioterapia ende nuk është mjaftueshëm i qartë.
Wagner, Shah, Rosa dhe Sogunro rekomandojnë që personat me angiosarkomë të gjirit të trajtohen në qendra të specializuara që kanë përvojë me këtë sëmundje të rrallë. Në qendra të tilla, thotë dr. Rosa, „keni një ekip mjekësh të përkushtuar për atë sëmundje specifike ose rajon të trupit.“ Ekipi përfshin kirurg të gjirit, radiolog, patolog dhe radioterapeut të specializuar në angiosarkoma të gjirit.
Disa nga qendrat e njohura për trajtimin e angiosarkomës së gjirit janë Mayo Clinic Breast Clinic, MD Anderson dhe University of Florida, thotë dr. Shah.
Sa serioze është angiosarkoma e gjirit?
Çdo tumor i gjirit është i ndryshëm. Shanset për mbijetesë te angiosarkoma e gjirit ndikohen nga shumë faktorë, duke përfshirë stadin e sëmundjes, gradën e tumorit dhe zakonet e jetesës së pacientit. Disa hulumtime sugjerojnë se personat me angiosarkoma sekondare kanë shkallë më të ulëta mbijetese në krahasim me ata me angiosarkoma primare, gjë që mund të shpjegohet me faktin se këta persona janë më të moshuar në momentin e diagnozës, ndërsa tumoret zakonisht janë më agresive.
Mos harroni të lexoni tekstet e tjera në blogun tonë.
Burimi: Breastcancer.org




