Përfitimi i kimioterapisë me antraciklina te kanceri i hershëm i gjirit HR+/HER2−
24. qershor 2026.

Pas diagnostikimit të kancerit të hershëm të gjirit me receptorë hormonalë pozitivë (HR+) dhe HER2 negativ (HER2−), biseda me ekipin onkologjik për trajtimin zakonisht përfshin pyetjen për kimioterapinë.
Është thelbësore të kuptohet se ekzistojnë dy vendime të veçanta:
- A mund të më ndihmojë kimioterapia?
- Nëse rekomandohet kimioterapia, cili tip kimioterapie është më i miri për mua? (Regjime të ndryshme kanë efikasitet të ndryshëm te tipe të ndryshme tumoresh.)
Testimi bashkëkohor gjenomik ka ndihmuar të qartësohet vendimi i parë — duke identifikuar pacientet që mund të shmangin në mënyrë të sigurt kimioterapinë dhe ato që kanë gjasa të përfitojnë prej saj. Të dhëna të reja tani ndihmojnë edhe vendimin e dytë: cili tip kimioterapie duhet aplikuar, përfshirë antraciklinat — citostatikë të fuqishëm që, kur shtohen te regjimet me taksane, mund të sjellin përfitim shtesë te një pjesë e tumoreve HR+/HER2−.
Mesazhet kyçe
- Jo të gjitha pacientet me kancer të hershëm HR+/HER2− të gjirit kanë nevojë për citostatikë.
- Te ato që kanë nevojë, jo të gjitha kanë nevojë për regjime me antraciklina.
- Antraciklinat janë të fuqishme dhe efikase, por mbartin rrezik për efekte anësore shtesë — duhet përdorur vetëm kur janë të domosdoshme.
- Vetë karakteristikat klinike (madhësia e tumorit, nyjet limfatike, gradusi) nuk parashikojnë me siguri se kush do të përfitojë më shumë nga antraciklinat.
- Dëshmi të reja tregojnë se klasifikimi gjenomik i riskut mund të ndihmojë në zgjedhjen më të saktë të kimioterapisë.
- Këto dëshmi janë referuar në udhëzimet e reja NCCN Clinical Practice Guidelines in Oncology (Breast Cancer, Version 2.2026).
Si vlerësohej rreziku tradicionalisht
Historikisht, mjekët vlerësonin rrezikun e përsëritjes së sëmundjes bazuar në madhësinë e tumorit, përfshirjen e nyjeve limfatike, gradusin, moshën e pacientes dhe invazionin limfovaskular. Pacientet me tumore më të mëdha ose nyje limfatike pozitive shpesh klasifikoheshin si „rrezik i lartë“ dhe u rekomandohej kimioterapi.
Megjithatë, karakteristikat klinike nuk pasqyrojnë gjithmonë biologjinë reale të tumorit dhe përgjigjen e tij ndaj terapisë. Dy paciente me madhësi tumori dhe status të ngjashëm të nyjeve limfatike mund të kenë biologji krejt të ndryshme tumori.
Roli i testimit gjenomik
Testet gjenomike analizojnë aktivitetin e gjeneve brenda vetë tumorit dhe ofrojnë njohuri biologjike mbi çfarë nxit rritjen e tij dhe gjasat për metastazim. Studimi MINDACT tregoi se pacientet me rrezik të lartë klinik, por rrezik të ulët gjenomik sipas MammaPrint®, kanë rezultate afatgjata të shkëlqyera edhe pa kimioterapi — duke konfirmuar se MammaPrint është një parashikues më i mirë i biologjisë së tumorit sesa vetë rreziku klinik.
MammaPrint High Risk 2 dhe antraciklinat
Të dhëna të prezantuara në San Antonio Breast Cancer Symposium (SABCS) 2025 sugjerojnë se pacientet me MammaPrint High Risk 2, kancer të hershëm HR+/HER2− të gjirit, mund të përfitojnë nga shtimi i antraciklinave te kimioterapia me taksane, ndërsa pacientet me rrezik gjenomik më të ulët nuk tregojnë të njëjtin përfitim.
Ky është një nga shembujt e parë se si testimi gjenomik ndihmon jo vetëm të vendoset nëse të aplikohet kimioterapi, por edhe cili tip kimioterapie sjell përfitimin më të madh — çka përfaqëson standardin e ri të onkologjisë së saktë.
Më shumë informacione rreth testeve gjeni te MammaPrint® dhe BluePrint®, ndërsa më shumë rreth studimeve te Publikime dhe përmbledhje.
Burimi: Agendia — Anthracycline Chemotherapy Benefit in HR+/HER2− Early-Stage Breast Cancer




