Hiperplazia atipike e gjirit
29. tetor 2024.

Hiperplazia atipike e gjirit është zhvillimi i qelizave para-kancerogjene në gji. Hiperplazia atipike shkakton grumbullim të qelizave në indin e gjirit. Kur shikohen nën mikroskop, këto qeliza duken të ndryshme nga qelizat tipike të gjirit. Hiperplazia atipike e gjirit nuk është kancer i gjirit, por tregon rrezik të shtuar për zhvillimin e kancerit të gjirit në të ardhmen. Mjeku juaj bën një plan për t'ju ndihmuar të ulni rrezikun e shfaqjes së kancerit të gjirit. Kjo shpesh përfshin kontrolle më të shpeshta për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Gjithashtu, mund të shqyrtoni edhe barna për uljen e rrezikut nga kanceri i gjirit.

Simptomat
Hiperplazia atipike e gjirit zakonisht nuk shkakton asnjë simptomë. Hiperplazia atipike e gjirit më së shpeshti zbulohet gjatë një biopsie të gjirit. Biopsia e gjirit është një procedurë me anë të së cilës hiqen qeliza të caktuara të gjirit për testime të mëtejshme. Zakonisht rekomandohet nëse gjendet diçka e dyshimtë në mamografi ose ultrazë. Biopsia gjithashtu mund të bëhet për të hetuar ndryshime në gji, siç është një nyjë.
Kur t'i drejtoheni mjekut
Caktoni një takim me mjekun nëse keni simptoma që ju shqetësojnë. Kërkoni një termin për ekzaminim.
Shkaqet

Si zhvillohet kanceri i gjirit?
Konsiderohet se kanceri i gjirit në kanale (kanceri duktal) fillon me rritjen e qelizave në kanalin e gjirit. A. Paraqitet një kanal tipik i gjirit. B. Mund të zhvillohet rritje e tepërt e qelizave në kanalin e gjirit. Kjo quhet hiperplazi. C. Me kalimin e kohës, qelizat ndryshojnë në atë mënyrë që duken të ndryshme nga qelizat tipike. Kjo quhet hiperplazi atipike. D. Qelizat atipike mund të vazhdojnë të grumbullohen. Qelizat mbeten të kapura brenda kanalit të gjirit. Kjo quhet karcinomë duktale in situ. E. Në fund, qelizat kancerogjene mund të dalin nga kanali dhe të bëhen kancer invaziv i gjirit. Qelizat atëherë mund të përhapen në pjesë të tjera të trupit.
Nuk është e qartë se çfarë shkakton hiperplazinë atipike të gjirit. Hiperplazia atipike e gjirit shfaqet kur qelizat në indin e gjirit zhvillojnë ndryshime në ADN-në e tyre. ADN-ja e qelizës përmban udhëzime që i tregojnë qelizës çfarë të bëjë. Ndryshimet bëjnë që qeliza të krijohet, përkatësisht të ndahet në shumë më tepër qeliza. Kjo çon në grumbullimin e qelizave në gji. Mjekët këtë grumbullim e quajnë hiperplazi. Ndryshimet gjithashtu bëjnë që qelizat të bëhen atipike, që do të thotë se duken të ndryshme nga qelizat tipike. Konsiderohet se hiperplazia atipike është një hap shumë i hershëm në procesin që i shndërron qelizat e shëndetshme në qeliza kancerogjene. Teorikisht, nëse qelizave të hiperplazisë atipike u lejohet të vazhdojnë të rriten, ato mund të zhvillojnë ndryshime shtesë në ADN dhe të bëhen qeliza kancerogjene. Nevojiten më shumë kërkime për të kuptuar se si ndodh kjo.
Hiperplazia atipike mund të shfaqet në kanalet ose lobulat e gjirit:
- Hiperplazia duktale atipike përshkruan rritjen e qelizave atipike brenda kanalit të gjirit. Kanalet e gjirit janë tuba të vegjël që mund të bartin qumështin deri te thithka. Ky lloj i hiperplazisë atipike është më i shpeshti.
- Hiperplazia lobulare atipike përshkruan rritjen e qelizave atipike brenda lobulave të gjirit. Lobulat e gjirit janë gjëndra që mund të prodhojnë qumësht. Ky lloj i hiperplazisë atipike është më i rrallë. Të dyja llojet e hiperplazisë atipike rrisin rrezikun e kancerit të gjirit. Trajtimi për të dy llojet është i ngjashëm.
Faktorët e rrezikut
Nuk ekzistojnë faktorë specifikë rreziku për hiperplazinë atipike të gjirit. Hiperplazia atipike është një nga gjendjet që shkaktojnë rritje të qelizave në gji të cilat nuk janë kancerogjene. Këto gjendje ndonjëherë quhen sëmundje beninje të gjirit. Mjekët kanë identifikuar faktorë rreziku për sëmundjet beninje të gjirit, dhe ata përfshijnë:
- Historia familjare e kancerit të gjirit. Nëse një prind, vëlla/motër ose fëmijë ka pasur kancer të gjirit, rritet rreziku juaj për diagnozën e hiperplazisë atipike të gjirit ose ndonjë sëmundjeje tjetër beninje të gjirit para menopauzës.
- Terapia hormonale në menopauzë. Marrja e barnave të caktuara të terapisë hormonale për kontrollimin e simptomave të menopauzës mund të rrisë rrezikun e hiperplazisë atipike dhe sëmundjeve të tjera beninje të gjirit.
Komplikimet
Nëse ju është diagnostikuar hiperplazia atipike e gjirit, keni rrezik të shtuar për zhvillimin e kancerit të gjirit në të ardhmen. Rreziku i kancerit të gjirit tek personat me hiperplazi atipike është rreth katër herë më i lartë se te ata pa hiperplazi atipike. Rreziku është i ngjashëm për hiperplazinë duktale atipike dhe hiperplazinë lobulare atipike. Studimet mbi gratë me hiperplazi atipike kanë treguar se rreziku i kancerit të gjirit rritet me kalimin e kohës. Pas 25 vjetësh nga diagnoza, rreth 30% e grave me hiperplazi atipike mund të zhvillojnë kancer të gjirit. Me fjalë të tjera, nga çdo 100 gra të diagnostikuara me hiperplazi atipike, 30 ka gjasa të kenë kancer të gjirit 25 vjet pas diagnozës, ndërsa 70 nuk do ta zhvillojnë kancerin.
Parandalimi
Nuk është e qartë nëse ekziston diçka që mund të parandalojë hiperplazinë atipike të gjirit. Të njëjtat gjëra që mund të ulin rrezikun e kancerit të gjirit mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të hiperplazisë atipike.
Çfarë mund të bëni për të ulur rrezikun e kancerit të gjirit përfshin:
Interesohuni për ekzaminimin e gjirit
Bisedoni me mjekun tuaj ose me ndonjë punonjës tjetër shëndetësor se kur duhet të filloni me kontrollet për kancerin e gjirit. Pyesni për përfitimet dhe rreziqet e kontrolleve. Së bashku mund të vendosni cilat kontrolle për kancerin e gjirit janë të përshtatshme për ju.
Njihuni me gjinjtë tuaj përmes vetëekzaminimit
Mund të zgjidhni të njiheni me gjinjtë tuaj duke i ekzaminuar herë pas here gjatë vetëekzaminimit të gjirit. Nëse vëreni një ndryshim të ri, një nyjë ose diçka të pazakontë, drejtohuni menjëherë te mjeku. Ndërgjegjësimi për gjirin nuk mund të parandalojë shfaqjen e kancerit të gjirit, por mund t'ju ndihmojë të kuptoni më mirë pamjen dhe ndjesinë e gjinjve tuaj. Kjo mund të rrisë mundësinë që të vini re ndryshime.
Pini alkool me masë, nëse e pini fare
Kufizoni sasinë e alkoolit në jo më shumë se një pije në ditë, nëse vendosni të pini. Për parandalimin e kancerit të gjirit, nuk ekziston një sasi e sigurt alkooli. Nëse jeni shumë të shqetësuar për rrezikun e kancerit të gjirit, mund të vendosni të mos pini alkool fare.
Ushtroni aktivitet fizik shumicën e ditëve të javës
Synoni të paktën 30 minuta ushtrime shumicën e ditëve të javës. Nëse nuk keni qenë aktive kohët e fundit, pyesni mjekun nëse është në rregull të filloni dhe filloni ngadalë.
Kufizoni terapinë hormonale në menopauzë
Trajtimi me terapi hormonale që përdoret për lehtësimin e simptomave të menopauzës mund të rrisë rrezikun e kancerit të gjirit. Bisedoni me një punonjës shëndetësor për përfitimet dhe rreziqet e terapisë hormonale. Disa persona kanë simptoma gjatë menopauzës që shkaktojnë siklet. Ata mund të vendosin që rreziqet e terapisë hormonale janë të pranueshme për lehtësimin e simptomave. Për të ulur rrezikun e kancerit të gjirit, përdorni dozën më të ulët të terapisë hormonale për kohën më të shkurtër të mundshme.
Mbani peshë trupore të shëndetshme
Nëse pesha juaj është e shëndetshme, punoni për ta mbajtur atë peshë. Nëse duhet të dobësoheni, pyesni punonjësin shëndetësor për mënyra të shëndetshme për uljen e peshës trupore. Hani më pak kalori dhe rrisni gradualisht sasinë e ushtrimeve.
Lexoni më shumë rreth temave të dobishme si kjo në blogun tonë.
Burimi: Mayo Clinic




