Kanceri HER2-pozitiv i gjirit
21. mars 2022.

Kanceri HER2-pozitiv i gjirit është kanceri që është pozitiv në proteinën e quajtur receptori i Faktorit të Rritjes Epidermale të Njeriut 2 (HER2). Gjeni HER2 krijon proteina HER2. Proteinat HER2 janë receptorë në qelizat e gjirit. Normalisht, receptorët HER2 ndihmojnë në kontrollin dhe sinjalizimin e rritjes së qelizave të gjirit dhe ndarjes së tyre. Por në rreth 10% deri në 20% të kancereve të gjirit, gjeni HER2 nuk funksionon si duhet dhe bën shumë kopje të vetes (e njohur si amplifikimi i gjenit HER2). Të gjithë këta gjene shtesë HER2 u thonë qelizave të gjirit të bëjnë shumë tepër receptorë HER2. Për shkak të kësaj, qelizat e gjirit rriten dhe ndahen në mënyrë të pakontrolluar.
Proteina HER2 gjithashtu mund të bashkohet me receptorë të tjerë të familjes HER që gjenden në sipërfaqen e qelizës – HER1, HER2, HER3 dhe HER4, duke i dërguar kështu sinjal qelizës tumorale për t'u rritur dhe ndarë.
Çdo gruaja e pestë e sëmurë nga kanceri i gjirit do të diagnostikohet me këtë kancer. Ky është një lloj veçanërisht agresiv i kancerit të gjirit, i cili ka prirje për rritje dhe përhapje më të shpejtë sesa kancerët e gjirit HER2 negativë, por ka shumë më shumë gjasa të reagojë ndaj trajtimit me barna që synojnë proteinën HER2.
Kanceri HER2-pozitiv i gjirit zakonisht prek gra më të reja në krahasim me rastet HER2 negative. Edhe pse shkaqet e sakta të kancereve HER2-pozitive të gjirit nuk janë të njohura, faktorë të caktuar rreziku mund të kontribuojnë:
- lindja e parë pas moshës 30 vjeç
- mbipesha
- histori e marrjes së terapisë me rrezatim në zonën e gjoksit
- duhanpirja ose përdorimi i produkteve të tjera të duhanit
Gjithashtu, edhe pse historia familjare e kancerit të gjirit në përgjithësi rrit rrezikun e zhvillimit të kancerit të gjirit, kanceri HER2-pozitiv i gjirit nuk është trashëgues.
Sot ekzistojnë më shumë mundësi për trajtimin e këtij kanceri. Ekzistojnë disa forma terapie që veprojnë në mënyrë të synuar mbi HER2. Me terapinë e synuar bllokohen sinjalet që nxisin rritjen e tumorit. Këto opsione të terapisë së synuar kanë përmirësuar aq shumë shanset e mbijetesës së pacientëve me kancer HER2-pozitiv, dhe janë aq efikase, saqë prognoza e tyre është faktikisht mjaft e mirë.




