Biopsia me gjilpërë e gjirit
23. qershor 2024.

Nëse ekzaminimet ose analizat radiologjike tregojnë se ka mundësi të keni kancer të gjirit, mjeku juaj mund të rekomandojë biopsi me gjilpërë të gjirit (CNB) për të përcaktuar saktësisht diagnozën. Kjo është shpesh metoda e preferuar sepse merr më shumë ind gjiri sesa biopsia me gjilpërë të hollë për aspirim (FNA), dhe nuk kërkon operacion.
Gjatë këtij procedimi, mjeku përdor një gjilpërë të zgavërt për të nxjerrë pjesë të indit të gjirit nga zona e dyshimtë. Mjeku mund ta kryejë këtë procedurë me ndihmën e prekjes së tumorit ose me ndihmën e njërës prej analizave radiologjike.
Çfarë është biopsia me gjilpërë e gjirit?
Për CNB, mjeku përdor një gjilpërë të zgavërt për të nxjerrë pjesë të indit të gjirit nga zona e dyshimtë që e ka ndjerë gjatë ekzaminimit ose gjatë analizës radiologjike. Gjilpërat mund të jenë të lidhura me një mjet me sustë që e lëviz shpejt gjilpërën brenda dhe jashtë, ose mund të jenë të lidhura me një pajisje thithëse që ndihmon të tërheqë indin brenda gjilpërës (biopsia bërthamore me ndihmën e vakumit).
Një cilindër i vogël indi nxirret me gjilpërën. Shpesh merren disa nga këto cilindra.

Mjeku mund ta futë gjilpërën në zonën e dyshimtë duke e ndjerë gungën, por zakonisht përdoren disa nga analizat radiologjike për të udhëhequr gjilpërën. Disa prej tyre, të cilat mjeku mund t'i përdorë, përfshijnë:
- Mamografi (e njohur si biopsi stereotaktike)
- Ultratinguj
- MRI
Lloji i analizës radiologjike që do të përdoret varet nga cila prej analizave të lartpërmendura e paraqet më mirë zonën e dyshimtë dhe cila është më e rehatshme për pacientin.
Çfarë mund të prisni nëse keni CNB?
Gjatë biopsisë me gjilpërë
CNB kryhet më së shpeshti si procedurë ambulatore, në ordinancën e mjekut. Vetë procedura zakonisht është e shpejtë, megjithëse mund të zgjasë më shumë nëse nevojiten ekzaminime radiologjike ose përdoret një lloj i veçantë CNB-je.
Nëse biopsia bëhet me ndihmën e analizave radiologjike, përkatësisht të imazherisë, mund të uleni, të shtriheni drejt, në anën tuaj ose me fytyrë poshtë mbi një tavolinë të veçantë me hapje për gjinj, në varësi të llojit të imazherisë (mamografi, ultratinguj ose MRI). Duhet të qëndroni të palëvizshëm gjatë kësaj procedure.
Për çdo lloj CNB-je, fillimisht do të jepet anestezi lokale me një gjilpërë të hollë. Ndonjëherë bëhet një prerje e vogël në gji. Gjilpëra e biopsisë futet më pas përmes kësaj prerjeje për të nxjerrë mostrën e indit. Ndoshta do të ndieni presion ndërsa gjilpëra po futet. Mund të përdoret analizë radiologjike për të udhëhequr gjilpërën në vendin e duhur.
Zakonisht një shënues i vogël (klips) vendoset në zonën e biopsisë. Ky shënues do të shfaqet në mamografi ose teste të tjera radiologjike, duke u mundësuar mjekëve ta lokalizojnë saktësisht zonën për trajtim ose ndjekje të mëtejshme. Nuk mund ta ndieni ose shihni shënuesin. Është i sigurt për MRI dhe nuk aktivizon detektorët e metalit.
Pasi merret mostra e indit, gjilpëra hiqet. Qepjet zakonisht nuk nevojiten, por mund të aplikohet presion për të ndaluar gjakderdhjen. Zona më pas mbulohet me fashë sterile.
Pas biopsisë me gjilpërë
Ndoshta do t'ju këshillojnë të kufizoni aktivitetet e forta për një ditë a dy, por duhet të mund të vazhdoni shpejt me aktivitetet tuaja të zakonshme. Mjeku ose infermierja do t'ju japin udhëzime rreth kësaj.
CNB mund të shkaktojë pak gjakderdhje, mavijosje ose ënjtje, gjë që mund ta bëjë gungën të duket më e madhe pas biopsisë. Kjo zakonisht nuk është arsye për shqetësim dhe të gjitha simptomat do të zhduken me kalimin e kohës. Personeli mjekësor do t'ju thotë se si të kujdeseni për vendin e biopsisë dhe kur duhet t'i kontaktoni nëse keni probleme. CNB zakonisht nuk lë shenjë.
Llojet e biopsive me gjilpërë të udhëhequra nga imazheria
Ekzistojnë 3 lloje kryesore biopsish të udhëhequra nga analizat radiologjike:
- Stereotaktike (e udhëhequr nga mamografia ose tomosinteza)
- E udhëhequr nga ultratingujt
- E udhëhequr nga MRI-ja
Lloji i biopsisë që është më i miri për ju varet nga cili lloj analize e paraqet më mirë zonën e dyshimtë dhe rehatinë tuaj.
Biopsia stereotaktike me gjilpërë
Për këtë procedurë, mjeku përdor imazhe mamografike të fotografuara nga kënde të ndryshme për të përcaktuar vendin e biopsisë. Kompjuteri i analizon imazhet dhe tregon se ku duhet të shkojë maja e gjilpërës në zonën e dyshimtë. Ky lloj biopsie përdoret shpesh për të kontrolluar mikrokalcifikime të dyshimta (depozita të vogla kalciumi) ose masa të vogla që nuk mund të shihen qartë në ultratinguj.
Mund të uleni, të shtriheni në anën tuaj ose me barkun poshtë me gjirin që var përmes një hapjeje në tavolinë.
Gjiri do të vendoset në aparatin mamografik dhe do të kompresohet, dhe do të bëhet një imazh për t'u siguruar se zona e dyshimtë mund të shihet. Më pas gjiri pastrohet dhe jepet anestezi lokale. Pajisja e biopsisë vendoset në gji dhe bëhen imazhe shtesë për të konfirmuar se pajisja është në vendin e duhur për marrjen e mostrave. Merren disa mostra.
Pas kësaj, pajisja hiqet, dhe shënuesi i biopsisë (klips) vendoset në zonë. Më pas bëhet edhe një mamografi për të konfirmuar se shënuesi është në vendin e duhur.
Biopsia me gjilpërë e udhëhequr nga ultratingujt
Për këtë procedurë, mjeku përdor ultratinguj të gjirit për të parë zonën që duhet biopsuar. Kjo zakonisht bëhet ndërsa jeni të shtrirë në shpinë ose pak të kthyer në anën tuaj, me krahun mbi kokë.
Fillimisht bëhet një ultratinguj për të parë zonën. Më pas lëkura pastrohet dhe jepet anestezi lokale. Ultratingulli më pas përdoret për të udhëhequr gjilpërën në zonën e saktë. Ndoshta do të ndieni presion ndërsa gjilpëra po futet. Zakonisht merren disa mostra.
Shënuesi i biopsisë (klips) vendoset në zonën e biopsisë. Më së shpeshti bëhet mamografi pas biopsisë për të konfirmuar se shënuesi është në vendin e duhur.
Biopsia me gjilpërë e udhëhequr nga MRI-ja
Për këtë procedurë, mjeku përdor MRI të gjirit për të lokalizuar dhe biopsuar zonën e dyshimtë. Kjo bëhet më së shpeshti kur diçka shihet në MRI-në e gjirit që nuk mund të shihet në mamografi ose ultratinguj. Do t'ju thuhet të shtriheni me barkun poshtë mbi tavolinën e MRI-së me krahët mbi kokë. Gjiri do të kompresohet gjatë procedurës.
Tavolina do të lëvizë brenda skanerit MRI dhe do të bëhen imazhe. Më pas do t'ju jepet kontrast përmes një linje IV (që ndihmon që zona e dyshimtë të shihet më lehtë), dhe do të bëhen imazhe shtesë.
Sapo të lokalizohet zona e dyshimtë, lëkura pastrohet dhe jepet anestezi lokale. Pajisja e biopsisë më pas futet me kujdes në gji. Është normale të ndjehet presion ndërsa kjo bëhet.
Më pas do të bëhen imazhe shtesë me MRI për të konfirmuar se pajisja është në vendin e duhur për marrjen e mostrave. Merren disa mostra biopsie, dhe pajisja hiqet.
Shënuesi i biopsisë (klips) vendoset më pas në zonën e biopsisë. Më së shpeshti bëhet mamografi pas biopsisë për të konfirmuar se shënuesi është në vendin e duhur.
Çfarë tregon biopsia me gjilpërë?
Patologu do ta shqyrtojë mostrën e indit për të kontrolluar nëse ka qeliza kancerogjene në të. CNB zakonisht tregon qartë nëse është i pranishëm kanceri në ind, por mund të mos e vërejë praninë e disa kancerëve.
Pyesni mjekun tuaj se kur mund të prisni rezultatet e biopsisë. Nëse rezultatet e CNB-së nuk japin një diagnozë të qartë, ndoshta do t'ju duhet të përsërisni CNB-në ose të bëni një lloj biopsie më të gjerë, si biopsi kirurgjikale.
Lexoni më shumë tema të ngjashme në Blogun tonë.
Burimi: American Cancer Society




