Si vendoset diagnoza e kancerit të gjirit
26. shtator 2024.

Diagnoza e kancerit të gjirit shpesh fillon me një kontroll dhe bisedë rreth simptomave tuaja. Kontrollet me imazhe mund të ekzaminojnë indin e gjirit për të përcaktuar nëse ekzistojnë anomali. Për të konfirmuar praninë e kancerit, merret një mostër indi nga gjiri për analizë.
Kontrolli i gjirit
Gjatë kontrollit klinik të gjirit, doktori ekzaminon gjoksin duke kërkuar çdo gjë të pazakontë. Kjo mund të përfshijë ndryshime në lëkurë ose thithkë. Më pas doktori palpon gjirin duke kërkuar gunga. Gjithashtu, ekzaminon me kujdes zonën e klaviklave dhe sqetullave duke kërkuar gunga.
Mamografia
Mamografia është një imazh rentgen i indit të gjirit. Mamografitë përdoren zakonisht për shqyrtimin (skriningun) e kancerit të gjirit. Nëse mamografia e skriningut zbulon diçka të dyshimtë, mund t'ju duhet të bëni një mamografi shtesë për të ekzaminuar më në detaje atë zonë. Kjo mamografi më e detajuar quhet mamografi diagnostike. Shpesh përdoret për një kontroll më të plotë të të dy gjinjve.
Mamografia
Gjatë mamografisë, qëndroni para një aparati rentgen të dizajnuar posaçërisht për mamografi. Teknicieni vendos gjirin tuaj mbi një platformë dhe rregullon lartësinë e platformës sipas gjatësisë suaj. Teknicieni ju ndihmon të poziciononi siç duhet kokën, krahët dhe trupin për të marrë një kontroll të papenguar të gjirit.
Ultrazëri i gjirit
Ultrazëri përdor valë zanore për të krijuar imazhe të strukturave brenda trupit. Ultrazëri i gjirit mund t'i japë mjekut tuaj më shumë informacione rreth një gunge në gji. Për shembull, ultrazëri mund të tregojë nëse gunga është një masë solide apo një cistë e mbushur me lëng. Këto informacione e ndihmojnë mjekun të vendosë cilat teste shtesë nevojiten.
MRI-ja e gjirit
Aparatet MRI përdorin fushë magnetike dhe valë radio për të krijuar imazhe të brendësisë së trupit. MRI-ja e gjirit mund të krijojë imazhe më të detajuara të gjinjve. Kjo metodë përdoret ndonjëherë për një kontroll më të plotë të gjirit të prekur ose për të zbuluar kancer në gjirin tjetër. Para MRI-së së gjirit, zakonisht merret një injeksion me lëndë kontrasti. Lënda e kontrastit ndihmon që indi të jetë më i dukshëm në imazhe.
MRI-ja e gjirit
MRI-ja e gjirit nënkupton shtrirjen me fytyrë poshtë mbi një tavolinë të mbushur me jastëkë për skanim. Gjinjtë vendosen në një hapësirë të zbrazët në tavolinë. Në atë hapësirë ndodhen spirale që marrin sinjalet nga aparati MRI. Tavolina më pas futet në hapjen e madhe të aparatit MRI.
Marrja e mostrës së qelizave të gjirit për testim
Biopsia është një procedurë me të cilën merret një mostër indi për testim në laborator. Për të marrë mostrën, mjeku fut një gjilpërë përmes lëkurës në indin e gjirit. Gjilpëra drejtohet me ndihmën e imazheve të krijuara nga rentgeni, ultrazëri ose ndonjë lloj tjetër imazherie. Kur gjilpëra arrin në vendin e duhur, mjeku e përdor atë për të nxjerrë ind nga gjiri. Shpesh, në vendin ku është marrë mostra vendoset një marker i vogël metalik. Ky marker do të jetë i dukshëm në imazhet e ardhshme dhe do ta ndihmojë ekipin të monitorojë atë zonë.
Biopsia me gjilpërë e gjirit
Biopsia me gjilpërë përdor një tub të gjatë e të zbrazët për të marrë mostër indi. Këtu bëhet biopsia e një gunge të dyshimtë në gji. Mostra dërgohet në laborator për testim dhe vlerësim nga një mjek specialist, patologu. Patologët janë të specializuar në analizën e gjakut dhe indeve të trupit.
Testimi i qelizave në laborator
Mostra e indit e marrë nga biopsia dërgohet në laborator për testim. Testet mund të tregojnë nëse qelizat në mostër janë kancerogjene. Testet e tjera japin informacione rreth tipit të kancerit dhe shpejtësisë së rritjes së tij. Testet speciale ofrojnë informacione shtesë rreth qelizave kancerogjene. Për shembull, ekzistojnë teste që mund të zbulojnë praninë e receptorëve hormonalë në sipërfaqen e qelizave. Doktori juaj përdor rezultatet e këtyre testeve për të hartuar një plan trajtimi.
Përcaktimi i stadit të kancerit të gjirit
Pasi doktori juaj diagnostikon kancerin e gjirit, mund t'ju nevojiten teste shtesë për të përcaktuar stadin e kancerit. Doktori juaj i përdor informacionet mbi stadin e kancerit për të vlerësuar prognozën.
Informacionet e plota mbi stadin e kancerit tuaj mund të mos jenë të disponueshme derisa të kaloni operacionin e kancerit të gjirit.
Testet dhe procedurat që përdoren për të përcaktuar stadin e kancerit të gjirit mund të përfshijnë:
- Teste gjaku, si numërimi i plotë i gjakut dhe testet që tregojnë funksionin e veshkave dhe mëlçisë;
- Skintigrafi kockash;
- Skanim CT;
- MRI;
- Tomografi me emision pozitronesh (skanim PET).
Jo të gjithë pacientët kanë nevojë për këto teste. Mjeku juaj zgjedh testet e duhura bazuar në situatën tuaj specifike.
Stadet e kancerit të gjirit shkojnë nga 0 deri në 4. Numri më i ulët do të thotë se kanceri ka përparuar më pak dhe gjasat për shërim janë më të mëdha. Stadi 0 i kancerit të gjirit do të thotë se kanceri është i kufizuar brenda kanalit qumështor dhe nuk është përhapur në indin e gjirit. Ndërsa kanceri përparon në indin e gjirit dhe bëhet më i rëndë, stadet bëhen më të larta. Stadi 4 i kancerit të gjirit do të thotë se kanceri është përhapur në pjesë të tjera të trupit.
Informohuni si të ruani dhe përmirësoni shëndetin tuaj. Ndiqni blogun tonë.
Burimi: Mayo Clinic




