Kalcifikimet e gjirit
18. nëntor 2024.

Kalcifikimet e gjirit janë depozitime kalciumi në indin e gjoksit. Shfaqen si pikëza ose njolla të bardha në mamografi. Kalcifikimet e gjirit janë të zakonshme në mamografi, veçanërisht te gratë mbi 50 vjeç. Edhe pse kalcifikimet e gjirit janë më së shpeshti me natyrë beninje (jokanceroze), disa modele të kalcifikimeve — si grumbuj të ngjeshur me formë të parregullt dhe pamje të hollë — mund të tregojnë kancer të gjirit ose ndryshime prekanceroze në indin e gjoksit.
Kalcifikimet e gjirit
Kalcifikimet janë depozitime të vogla kalciumi në gjoks që shfaqen si pika të bardha në mamografi. Kalcifikimet e mëdha, të rrumbullakëta ose të mirëpërcaktuara (paraqitur majtas) ka më shumë mundësi të jenë jokanceroze (beninje). Grupet e ngushta të kalcifikimeve të vogla, me formë të parregullt (paraqitur djathtas) mund të tregojnë kancer.
Në mamografi, kalcifikimet e gjirit mund të shfaqen si makrokalcifikime ose mikrokalcifikime.
- Makrokalcifikimet. Shfaqen si pika ose vija të mëdha të bardha. Pothuajse gjithmonë janë jokanceroze dhe zakonisht nuk kërkojnë ekzaminime apo përcjellje shtesë.
- Mikrokalcifikimet. Shfaqen si pikëza të holla të bardha, të ngjashme me kokrra kripe. Edhe pse zakonisht janë jokanceroze, disa modele mund të jenë shenjë e hershme e kancerit.
Nëse kalcifikimet e gjirit në mamografinë tuaj fillestare duken të dyshimta, do të thirreni për fotografi shtesë me zmadhim që kalcifikimet të ekzaminohen më në detaje. Nëse edhe mamografia e dytë ngjall shqetësim për kancer të mundshëm, mjeku mund të rekomandojë biopsi të gjoksit për të vendosur diagnozën përfundimtare. Nëse kalcifikimet duken jokanceroze, mjeku mund të rekomandojë të vazhdoni me ekzaminimet e rregullta vjetore ose t'ju referojë për një ekzaminim kontrolli pas gjashtë muajsh, për të konfirmuar se kalcifikimet nuk po ndryshojnë.
Shkaqet
Ndonjëherë kalcifikimet mund të tregojnë kancer të gjirit, si karcinomi duktal in situ (DCIS), por shumica e kalcifikimeve rezultojnë nga gjendje beninje.
Shkaqet e mundshme të kalcifikimeve të gjirit përfshijnë:
- Kanceri i gjirit
- Cistat e gjoksit
- Sekret ose mbetje qelizash
- Karcinoma duktale in situ (DCIS)
- Fibroadenoma
- Ektazia e kanaleve të qumështit
- Lëndim ose operacion i mëparshëm i gjoksit (nekrozë dhjamore)
- Radioterapi e mëparshme për kancer
- Kalcifikim i lëkurës (dermal) ose i enëve të gjakut (vaskular)
Produktet që përmbajnë materiale radiopake ose metale, si dezodorantët, kremrat ose pluhurat, mund të duken si kalcifikime në mamografi, duke e vështirësuar interpretimin nëse kalcifikimet janë të natyrës beninje apo kanceroze. Për këtë arsye, gjatë mamografisë, nuk rekomandohet përdorimi i asnjë produkti për lëkurë.
Kur të vizitoni mjekun
Nëse radiologu dyshon se kalcifikimet e gjirit lidhen me ndryshime prekanceroze ose kancer të gjirit, mund t'ju duhet të bëni një mamografi shtesë me zmadhim për ekzaminim më të detajuar të kalcifikimeve. Gjithashtu, radiologu mund të rekomandojë biopsi të gjoksit për të testuar një mostër indi.
Radiologu mund të kërkojë mamografitë e mëparshme për krahasim dhe për të përcaktuar nëse kalcifikimet janë të reja apo kanë ndryshuar në numër apo model. Nëse kalcifikimet e gjirit duken sikur kanë lindur për shkak të një gjendjeje beninje, radiologu mund të rekomandojë përcjellje pas gjashtë muajsh dhe mamografi të re me zmadhim. Radiologu do të kontrollojë nëse ka ndryshime në formën, madhësinë dhe numrin e kalcifikimeve, ose do të konstatojë se ato kanë mbetur të pandryshuara.
Më shumë informacione mbi tema të rëndësishme lexoni në blogun tonë.
Burimi: Mayo Clinic




