MammaPrint - një test, më shumë përgjigje për terapinë optimale të kancerit të gjirit
30. maj 2022.

Kanceri i gjirit në fazë të hershme trajtohet në më shumë mënyra dhe mund të përfshijë operacionin, rrezatimin dhe terapinë sistemike (neo)adjuvante. Për shkak të heterogjenitetit të tumorit, është e rëndësishme të përcaktohet terapia përkatëse për secilin pacient. Në përgjithësi, pacientët me prognozë të dobët përfitojnë nga kemoterapia adjuvante, ndërsa pacientët me prognozë të mirë nuk kanë përfitim klinikisht të rëndësishëm nga kemoterapia. Në praktikën aktuale, mjekëve nuk u është gjithmonë e qartë se cilët pacientë kanë prognozë të mirë. Kjo paraqet një sfidë të rëndësishme për mjekët në vlerësimin e prognozës dhe marrjen e vendimit terapeutik më të përshtatshëm, gjë që potencialisht mund të çojë në mbitrajtim ose nëntrajtim. Për këta pacientë, testet gjenomike ofrojnë informacione shtesë prognostike që ndihmojnë mjekët dhe pacientët në marrjen e vendimeve.
MammaPrint është një test diagnostik gjenetik prognostik dhe parashikues për pacientet me kancer të gjirit në fazë të hershme, i cili vlerëson rrezikun që tumori të metastazojë në pjesë të tjera të trupit. MammaPrint vlerëson aktivitetin e 70 gjeneve në indin tumoral që lidhen më së shumti me zhvillimin e metastazave të kancerit të gjirit. Këto 70 gjene janë identifikuar në bazë të një vlerësimi të paanshëm të tërë gjenomit (25.000 gjene) në mostrat e tumorit të pacienteve që më parë nuk ishin trajtuar për kancer të gjirit. Duke përdorur mostra tumori të patrajtuara më parë, shmanget mundësia që ndonjë formë terapie të ndikojë në rezultatet e hulumtimit. Këto rezultate varen ekskluzivisht nga biologjia dhe karakteristikat e tumorit.
Testi MammaPrint indikohet te pacientet që kanë kancer të gjirit në fazë të hershme, te të cilat analizat klinike dhe patologjike nuk mund të përcaktojnë qartë nëse kemoterapia do të sillte përfitim apo do të shkaktonte vetëm dëm. Në një test të vetëm gjenomik – dhe si pjesë e platformës më gjithëpërfshirëse të disponueshme për mbështetjen e planifikimit të trajtimit të kancerit të gjirit në fazë të hershme – MammaPrint jep informacione mbi nevojën për kemoterapi, terapi standarde endokrine dhe terapi endokrine të zgjatur. Testimi kryhet në laboratorin qendror në Amsterdam (për Evropën) dhe në SHBA (për vendet e tjera). Kryerja e centralizuar e testimit mundëson standarde të larta dhe uniforme për të gjitha analizat, pasi vendimet që merren në bazë të këtij testi kanë rëndësi të madhe për çdo paciente.
Rezultatet e testimit janë të disponueshme brenda 5-10 ditëve pune nga dita e pranimit në laborator. Në raste shumë të rralla, nëse indi për analizë është problematik, mund të ndodhë që laboratorit t'i duhen disa ditë më shumë.




