Grupi gjerman për onkologji gjinekologjike (AGO) përfshiu testin BluePrint në udhëzimet e veta
21. maj 2024.
IRVINE, Kaliforni dhe AMSTERDAM, Holandë (11 prill 2024)
Agendia®, Inc. ka njoftuar se testi i tyre BluePrint®, i bazuar në analizën e 80 gjeneve, tashmë është përfshirë në udhëzimet më të reja të Grupit gjerman për onkologji gjinekologjike (AGO). Ky test është shtuar si faktor i rëndësishëm në vendimmarrjen për zbatimin e kemoterapisë neoadjuvante.
Testi i Agendias MammaPrint® ishte përfshirë në udhëzimet e AGO që në vitin 2017, ku u njoh për identifikimin e pacienteve që mund të shmangnin kemoterapinë për kancerin e gjirit. Në vitin 2023, MammaPrint gjithashtu u njoh në udhëzime si faktor kyç në vendimmarrjen për terapinë endokrine të zgjatur. Të dy testet përdoren së bashku për të përmirësuar vendimmarrjen mbi trajtimet e pacienteve.
AGO përfaqëson një grup ekspertësh të specializuar në onkologji gjinekologjike, të cilët së bashku me ekipe ndërdisiplinore nga fusha e patologjisë, diagnostikimit radiologjik, onkologjisë mjekësore dhe radioterapisë, përditësojnë rregullisht rekomandimet e bazuara në dëshmitë më të reja për trajtimin e kancerit të gjirit në fazë të hershme dhe metastatik.
“Jemi të kënaqur që BluePrint është përfshirë në udhëzimet e AGO, pasi mundëson përcaktimin e nevojës së pacienteve për kemoterapi neoadjuvante në varësi të nëntipit të tumorit. Njohja e informacioneve që BluePrint i ofron në kontekstin neoadjuvant është kyçe për vendimmarrjen mbi metodat terapeutike në fazat e hershme të diagnozës.”- ka deklaruar prof. dr. Marc Thill nga Klinika e Gjinekologjisë dhe Onkologjisë Gjinekologjike e spitalit Agaplesion Markus në Frankfurt.
BluePrint ka fituar vlefshmëri klinike përmes studimit NBRST (NCT01479101), i cili ka demonstruar dobinë e këtij testi në trajtimin parakirurgjik, duke identifikuar mundësinë e përgjigjes së plotë patologjike ndaj kemoterapisë neoadjuvante dhe duke mundësuar një klasifikim më të saktë të nëntipeve molekulare të tumorit.
“Përfshirja e BluePrint-it në udhëzimet e AGO është një hap i madh për Agendia-n dhe, edhe më e rëndësishme, për gratë në Gjermani që do të përfitojnë nga këto informacione kyçe,” ka deklaruar dr. William Audeh, drejtor mjekësor kryesor i Agendias. “Presim që ky sukses të kontribuojë në rritjen e zbatimit klinik të testit dhe t'u mundësojë mjekëve të vendosin me më shumë besim mbi trajtimin më të mirë për pacientet e tyre.”
Rreth Agendias
Agendia është pioniere në fushën e onkologjisë precize, e fokusuar në kancerin e gjirit në fazë të hershme, duke ofruar njohuri biologjike kyçe që ndihmojnë në formësimin e trajtimeve të personalizuara për pacientët dhe ekipet e tyre shëndetësore. Testet e tyre gjenomike të avancuara, MammaPrint® dhe BluePrint®, mundësojnë përcaktimin e shpejtë të trajtimit më efikas, duke minimizuar rreziqet e trajtimit joadekuat ose të tepërt. Me seli në Irvine, Kaliforni, dhe themeluar në vitin 2003 në Amsterdam, Agendia prin në zbatimin e teknologjive dhe inovacioneve të avancuara në luftën kundër kancerit të gjirit.
Rreth testit BluePrint:
BluePrint® është një test inovativ që analizon shprehjen e 80 gjeneve kyçe dhe ofron njohuri të thella mbi shtytësit e rritjes së tumorit tek gratë me kancer gjiri në fazë të hershme. Ky test mundëson personalizimin e trajtimit për secilën paciente duke zbuluar nëntipet molekulare të tumorit që nuk mund të identifikohen me qasjet standarde patologjike. Secili prej nëntipeve – luminal, HER2 dhe bazal – kërkon qasje terapeutike të ndryshme, gjë që e bën BluePrint një mjet kyç në onkologjinë precize.
Rreth testit MammaPrint:
MammaPrint® është një test që ofron informacione të detajuara mbi rrezikun e metastazave në fazat e mëtejshme të kancerit të gjirit duke analizuar shprehjen e 70 gjeneve. Ky test i miratuar nga FDA ndihmon në vendimmarrjen mbi terapitë për secilën paciente veç e veç, përfshirë kemoterapinë dhe terapinë endokrine, duke ofruar klasifikim të rrezikut në katër kategori: UltraLow, Low, High 1 dhe High 2. Këto informacione janë kyçe për krijimin e një plani trajtimi të personalizuar që përputhet me biologjinë e tumorit dhe qëllimet jetësore të pacientes.
Burimi: AGENDIA




