Raporti patologjik: Ndryshimet beninje të gjirit
19. shtator 2024.

Mostrat e marra nga gjiri juaj ekzaminohen nga një mjek me trajnim të veçantë, i quajtur patolog. Pas testimit të mostrave, patologu harton një raport mbi gjetjet. Doktorët tuaj do ta përdorin këtë raport patologjik për t'ju ndihmuar në trajtimin e mëtejshëm.
Informacionet në këtë blog shërbejnë për t'ju ndihmuar të kuptoni disa nga termat mjekësorë që mund t'i shihni në raportin tuaj patologjik pas biopsisë së gjirit, e cila mund të jetë biopsi me gjilpërë ose biopsi kirurgjikale.
Në biopsinë me gjilpërë përdoret një gjilpërë e zbrazët për të marrë mostra nga zona e dyshuar (suspekte) në gjirin tuaj. Në disa situata mund të nevojitet biopsi kirurgjikale. Kjo mund të jetë biopsi incizionale, ku hiqet vetëm një pjesë e zonës së dyshuar, ose biopsi ekscizionale, e cila heq të gjithë zonën e dyshuar, shpesh së bashku me një pjesë të indit normal përreth. Biopsia ekscizionale ngjason shumë me llojin e operacionit ruajtës të gjirit të quajtur lumpektomi.
Termat që përshkruajnë ndryshime beninje jokancerogjene
- Adenoza
- Adenoza sklerozuese
- Metaplazia apokrine
- Cistat
- Ndryshimi i qelizave kolumnare
- Hiperplazia e qelizave kolumnare
- Sferuloza kolagjenoze
- Ektazia duktale
- Ndryshimet e qelizave kolumnare me maja apikale të theksuara dhe sekrecione (CAPSS)
- Papilomatoza
- Ndryshimet fibrocistike
Të gjitha këto janë ndryshime beninje (jokancerogjene) që patologu mund t'i shohë. Këto çrregullime zakonisht nuk kërkojnë trajtim, përveç nëse shkaktojnë simptoma shqetësuese. Shumica e këtyre gjendjeve nuk ndikojnë në rrezikun e ardhshëm nga kanceri i gjirit.
Nekroza dhjamore
Nekroza dhjamore është një gjendje beninje (jokancerogjene) që nuk lidhet me ndonjë rrezik nga kanceri. Më shpesh shkaktohet nga trauma (dëmtimi) e gjirit. Mund të zhvillohet edhe pas operacionit të gjirit ose radioterapisë, edhe pse mund të shfaqet edhe kur asnjë prej tyre nuk është prezent.
Hiperplazia duktale e zakonshme (UDH)
UDH është një gjetje beninje (jokancerogjene) e shpeshtë, në të cilën ndodh rritje e tepërt e qelizave që veshin kanalet e qumështit në gji, por qelizat duken pothuajse normale. (Mund të përshkruhet edhe si hiperplazi e moderuar ose e dendur e tipit të zakonshëm, pa atipi.)
UDH-ja nuk ka nevojë të trajtohet, edhe pse shoqërohet me rritje të lehtë të rrezikut për zhvillimin e kancerit të gjirit në të ardhmen.
Cikatriksi radial ose lezioni kompleks sklerozues
Këta terma përshkruajnë një gjetje beninje (jokancerogjene) që nën mikroskop duket si një cikatriks (edhe pse nuk është një cikatriks i vërtetë).
Nëse cikatriksi radial gjendet pas biopsisë ekscizionale, zakonisht nuk kërkohet veprim i mëtejshëm. Megjithatë, nëse zbulohet gjatë biopsisë me gjilpërë, situata është më komplekse. Nëse zona është e vogël dhe hiqet plotësisht me biopsi gjilpëre ose nuk lidhet me gjetjen në mamografi, mund të mos nevojitet trajtim i mëtejshëm. Për lezionet që janë më të mëdha ose nuk hiqen plotësisht me biopsi gjilpëre, mund të nevojitet heqja e më shumë indi, sepse ndonjëherë cikatrikset radiale gjenden pranë diçkaje më serioze që mund të kërkojë trajtim.
Nëse raporti juaj përmend cikatrikset radiale, bisedoni me mjekun tuaj për atë që është më e mira në rastin tuaj.
Papiloma (ose papiloma intraduktale)
Papiloma intraduktale është një lloj rritjeje beninje (jokancerogjene), me pamje si lythi, brenda kanalit të qumështit.
Nëse papiloma gjendet gjatë biopsisë ekscizionale, zakonisht nuk kërkohet trajtim i mëtejshëm. Nëse papiloma diagnostikohet nga biopsia me gjilpërë, situata është më komplekse. Nëse papiloma është e vogël dhe ajo që u pa në mamografi i ngjason papilomës (dhe jo diçkaje më serioze), mund të mos nevojitet trajtim i mëtejshëm, përveç nëse shkakton simptoma si dhimbje ose sekrecion nga thithka. Megjithatë, doktori mund të rekomandojë heqjen e më shumë indi nga ajo zonë për t'u siguruar që afër nuk ka diçka më serioze.
Bisedoni me mjekun tuaj për atë që është më e mira në rastin tuaj.
Atipia epiteliale e sheshtë
Atipia epiteliale e sheshtë nuk është kancer. Megjithatë, ndonjëherë gjendet afër diçkaje më serioze.
Nëse atipia epiteliale e sheshtë zbulohet gjatë biopsisë ekscizionale, zakonisht nuk kërkohet veprim i mëtejshëm. Nëse atipia epiteliale e sheshtë shihet gjatë biopsisë me gjilpërë, mjeku mund të rekomandojë heqjen kirurgjikale të një pjese të indit rreth vendit të biopsisë. Një opsion tjetër mund të jetë monitorimi i asaj zone me mamografi në të ardhmen.
Meqenëse nuk është e qartë se si trajtohet më mirë atipia epiteliale e sheshtë, është e rëndësishme të bisedoni me doktorin tuaj nëse biopsia juaj tregon këtë gjetje.
Fibroadenoma, tumori filoides ose lezioni fibroepitelial
Fibroadenoma është tumori beninj (jokancerogjen) më i shpeshtë i gjirit. Nëse diagnostikohet me biopsi gjilpëre, dhe ajo që u pa në mamografi duket si fibroadenomë (dhe jo diçka më serioze), zakonisht nuk kërkohet heqje dhe mund të monitorohet pa trajtim të mëtejshëm. Nëse tumori rritet ose shkakton probleme me pamjen e gjirit, mund të hiqet.
Tumori filoides është një tumor shumë i rrallë i gjirit që zhvillohet nga qelizat e stromës (indit lidhor) të gjirit. Emra të tjerë për këto tumore janë tumori filoid dhe cistosarkoma filoides. Këta tumorë zakonisht janë beninj, por mund të rriten shpejt dhe të rikthehen, duke shkaktuar pamje jonormale të gjirit nëse nuk hiqen plotësisht.
Rrallë, këta tumorë mund të jenë malinj (kancerogjenë). Disa tumorë filoides malinj mund të përhapen jashtë gjirit, edhe pse kjo ndodh më rrallë se te llojet më të zakonshme të kancerit të gjirit.
Nëse tumori filoides diagnostikohet me biopsi gjilpëre, zakonisht trajtohet duke u hequr plotësisht (shpesh me operacion ruajtës të gjirit).
Ndonjëherë mund të jetë e vështirë për patologun të përcaktojë nëse rritja (tumori) është fibroadenomë apo tumor filoides kur shikon mostrën e biopsisë me gjilpërë. Në atë rast, patologu mund ta quajë "lezion fibroepitelial celular" ose "neoplazmë fibroepiteliale beninje". Meqenëse mund të jetë tumor filoides, zakonisht trajtohet me heqje të plotë.
Mikrokalcifikimet ose kalcifikimet
Mikrokalcifikimet ose kalcifikimet janë depozita të vogla kalciumi që mund të gjenden në lezione jokancerogjene dhe kancerogjene të gjirit. Ato mund të shihen edhe në mamografi, edhe nën mikroskop.
Meqenëse kalcifikime të caktuara mund të gjenden në zona kancerogjene, prania e tyre në mamografi mund të çojë në biopsinë e asaj zone. Pas biopsisë, patologu ekzaminon indin e hequr për t'u siguruar që përmban kalcifikime. Nëse kalcifikimet janë të pranishme, mjeku e di se biopsia ka marrë mostër nga zona e saktë (jonormale) e parë në mamografi.
Teste laboratorike të veçanta që mund të kryhen mbi mostrat e biopsisë
- Citokeratina me peshë të lartë molekulare (HMWCK)
- CK903
- CK5/6
- p63
- Aktina specifike për muskuj
- Zinxhiri i rëndë i miozinës së muskujve të lëmuar
- Kalponina
- Keratina
Këto janë teste të veçanta që mund të përdoren për të diagnostikuar lloje të ndryshme lezionesh të gjirit. Jo të gjitha mostrat e biopsisë i nënshtrohen këtyre testeve. Pavarësisht nëse raporti juaj i përmend këto teste apo jo, kjo nuk ndikon në saktësinë e diagnozës suaj.
Edukohuni rreth temave të ngjashme në blogun tonë.
Burimi: American Cancer Society




