Perceptimi i trupit dhe seksualiteti pas trajtimit të kancerit të gjirit
28. qershor 2024.

Të mësuarit se si të ndiheni komode në trupin tuaj gjatë dhe pas trajtimit të kancerit të gjirit është një udhëtim personal që është i ndryshëm për çdo grua. Informacioni dhe mbështetja mund t'ju ndihmojnë të përballeni me këto ndryshime gjatë periudhës së diagnozës dhe trajtimit të kancerit të gjirit, por edhe pas vetë shërimit.
Si të ndiheni mirë në lëkurën tuaj gjatë dhe pas trajtimit të kancerit të gjirit
Përveç streseve emocionale, psikologjike dhe financiare që kanceri dhe trajtimi i tij mund të shkaktojnë, shumë gra me kancer të gjirit përballen edhe me ndryshime në pamje si pasojë e trajtimit të tyre.
Disa ndryshime mund të jenë të përkohshme, siç është rënia e flokëve. Por edhe ndryshimet afatshkurtra mund të kenë ndikim të thellë psikologjik në mënyrën se si ndihet një grua për veten. Ka disa opsione që mund t'i ndihmojnë gratë të përballen me rënien e flokëve, duke përfshirë paruket, kapelet, shallet dhe aksesorë të tjerë. Alternativisht, disa gra zgjedhin ta përdorin tullacësinë e tyre si një mënyrë identifikimi me gratë që kanë mbijetuar nga kanceri i gjirit.
Ndryshime të tjera mund të jenë të përhershme, si humbja e një pjese ose e tërë gjirit (ose gjinjve) pas operacionit. Disa gra vendosin të bëjnë operacion rekonstruktiv për rikrijimin e gjirit, ndërsa të tjera mund të mos e bëjnë. Nëse vendosni të mos shkoni në rekonstruksion gjiri, mund të vendosni nëse do të mbani apo jo një mbushës gjiri ose protezë.
Seksualiteti pas kancerit të gjirit
Ndoshta do të keni shqetësime lidhur me seksualitetin pas kancerit të gjirit. Ndryshimet fizike, veçanërisht pas operacionit të gjirit, mund t'i bëjnë disa gra të ndihen më pak komode në trupin e tyre. Mund të ndodhë humbje e ndjesisë në gjirin e prekur. Trajtime të tjera për kancerin e gjirit, si kimioterapia dhe terapia hormonale, mund të ndryshojnë nivelet tuaja hormonale dhe të ndikojnë në interesin dhe/ose përgjigjen tuaj seksuale.
Problemet në marrëdhënie janë gjithashtu të rëndësishme. Partneri juaj mund të jetë i shqetësuar se si ta shprehë dashurinë fizikisht dhe emocionalisht pas trajtimit, veçanërisht pas operacionit. Por, njëkohësisht kanceri i gjirit mund të jetë një përvojë rritjeje për çiftet – veçanërisht kur të dy partnerët marrin pjesë në vendimmarrje dhe shkojnë së bashku në trajtime.
Gjetja e ndihmës dhe mbështetjes pas trajtimit të kancerit të gjirit
Pavarësisht nga ndryshimet fizike që mund të përjetoni, është e rëndësishme të dini se ekziston këshillë dhe mbështetje që mund t'ju ndihmojnë të përballeni me ndryshimet e ndodhura. Të folurit me mjekun tuaj ose me anëtarë të tjerë të ekipit tuaj shëndetësor është shpesh një fillim i mirë për të gjetur ndihmë. Gjithashtu ekzistojnë shumë grupe mbështetëse. Këto grupe ju lidhin me vullnetare lokale që kanë pasur kancer të gjirit. Vullnetarja e programit tuaj mund t'u përgjigjet shumë pyetjeve tuaja dhe mund t'ju japë sugjerime, material leximi shtesë dhe këshilla. Mbani mend se edhe vullnetaret kanë qenë në vendin tuaj dhe do t'ju kuptojnë.
Disa hulumtime sugjerojnë se gratë më të reja kanë më shumë probleme me përshtatjen ndaj streseve të lidhura me diagnostikimin e kancerit të gjirit dhe trajtimin e tij. Ato mund të ndihen të izoluara nga ana sociale. Gratë më të reja gjithashtu mund të preken më shumë nga çështjet e seksualitetit ose fertilitetit (aftësisë për të pasur fëmijë). Disa gra më të reja ndoshta mendojnë për krijimin e familjes ose për të pasur më shumë fëmijë, dhe mund të shqetësohen se si kanceri dhe trajtimi i tij mund të ndikojnë në këtë. Të tjera ndoshta kanë tashmë familje dhe mund të shqetësohen se si mund të preken anëtarët e familjes.
Lexoni më shumë rreth temave të ngjashme në Blogun tonë.
Burimi: American Cancer Society




