Kanceri i përsëritur/recidiv i gjirit
9. gusht 2024.

Diagnoza (kanceri i përsëritur/recidiv i gjirit)
Nëse mjeku dyshon se kanceri i gjirit mund të jetë rikthyer bazuar në rezultatet e mamografisë ose ekzaminimit fizik, ose për shkak të shenjave dhe simptomave të caktuara, mund të rekomandojë teste shtesë për të konfirmuar diagnozën.
Testet dhe procedurat mund të përfshijnë:
Pamje radiologjike. Cilat pamje radiologjike do të bëni varet nga situata juaj specifike. Pamjet mund të përfshijnë rezonancë magnetike (RMN), tomografi të kompjuterizuar (CT), radiografi, skanim të kockave ose tomografi me emision pozitronesh (PET). Nuk është e nevojshme që çdo pacient të bëjë çdo test. Mjeku do të përcaktojë cilat teste janë më të dobishme në situatën tuaj.
Marrja e mostrës së indit për analizë laboratorike (biopsi). Mjeku mund të rekomandojë biopsi për të mbledhur qeliza të dyshimta për testim, pasi kjo është mënyra e vetme për të konfirmuar nëse kanceri është rikthyer. Në laborator, patologu i ekzaminon qelizat dhe përcakton llojet e qelizave të përfshira. Patologu mund të përcaktojë nëse kanceri është rikthim i një kanceri të mëparshëm apo lloj i ri kanceri. Testet gjithashtu tregojnë nëse kanceri është i ndjeshëm ndaj terapisë hormonale ose terapisë së synuar, pasi kjo mund të ndryshojë që nga diagnoza juaj e parë e kancerit.
Trajtimi
Opsionet tuaja të trajtimit do të varen nga disa faktorë, përfshirë shtrirjen e sëmundjes, statusin e receptorëve hormonalë, llojin e trajtimit që keni pasur herën e parë kur u diagnostikuat, si dhe gjendjen tuaj të përgjithshme shëndetësore. Mjeku gjithashtu merr parasysh qëllimet dhe preferencat tuaja për trajtim.
Trajtimi i recidivit lokal
Trajtimi i recidivit lokal zakonisht fillon me operacion dhe mund të përfshijë rrezatim nëse nuk e keni pasur më parë. Gjithashtu mund të rekomandohet kimioterapia dhe terapia hormonale.
- Operacioni. Për kancerin e përsëritur të gjirit që kufizohet në gji, trajtimi zakonisht përfshin heqjen e indit të mbetur të gjirit. Nëse kanceri juaj i parë është trajtuar me lumpektomi, mjeku mund të rekomandojë mastektomi për të hequr të gjithë indin e gjirit — lobulet, kanalet, indin dhjamor, lëkurën dhe thithkën. Nëse kanceri juaj i parë i gjirit është trajtuar me mastektomi dhe është rikthyer në murin e kraharorit, kanceri i ri/i përsëritur mund të hiqet me operacion së bashku me një margjinë (kufi) të indit normal. Recidivi lokal mund të shoqërohet me përhapje në limfonodët e afërt. Për këtë arsye, kirurgu mund të heqë disa ose të gjithë limfonodët e afërt nëse nuk janë hequr gjatë operacionit tuaj fillestar.
- Radioterapia. Radioterapia përdor rreze me energji të lartë, si rreze X ose protone, për të vrarë qelizat e kancerit. Nëse nuk keni pasur radioterapi për kancerin e parë të gjirit, mjeku tani mund ta rekomandojë. Por, nëse keni pasur radioterapi pas lumpektomisë, radioterapia për trajtimin e recidivit zakonisht nuk rekomandohet për shkak të rrezikut nga efektet anësore.
- Kimioterapia. Kimioterapia përdor ilaçe për të vrarë qelizat e kancerit. Mjeku mund të rekomandojë kimioterapi pas operacionit për të ulur rrezikun e rishfaqjes së kancerit.
- Terapia hormonale. Ilaçet që bllokojnë efektet e rritjes së hormoneve estrogjen dhe progesteron mund të rekomandohen nëse kanceri juaj është pozitiv për receptorë hormonalë.
- Terapia e synuar. Nëse testimi tregon se qelizat tuaja të kancerit prodhojnë tepricë të proteinës HER2, ka të ngjarë t'ju rekomandohen ilaçe që synojnë atë proteinë.
Trajtimi i recidivit rajonal
Trajtimi për recidivin rajonal të kancerit të gjirit përfshin:
- Operacioni. Nëse është e mundur, operacioni për heqjen e kancerit është trajtimi i rekomanduar për recidivin rajonal. Kirurgu juaj gjithashtu mund të heqë limfonodët nën krah nëse janë ende të pranishëm.
- Radioterapia. Ndonjëherë radioterapia mund të përdoret pas operacionit. Nëse operacioni nuk është i mundur, radioterapia mund të përdoret si trajtimi kryesor për recidivin rajonal të kancerit të gjirit.
- Ilaçet. Kimioterapia, terapia e synuar ose terapia hormonale gjithashtu mund të rekomandohen si trajtim kryesor ose mund të ndjekin operacionin ose radioterapinë.
Trajtimi i recidivit metastatik
Ka shumë trajtime për kancerin metastatik të gjirit. Opsionet tuaja do të varen nga vendi ku është përhapur kanceri. Nëse një trajtim nuk funksionon ose ndalon së funksionuari, mund të keni mundësi të provoni trajtime të tjera. Në përgjithësi, qëllimi i trajtimit të kancerit metastatik të gjirit nuk është shërimi i sëmundjes. Trajtimi mund ta zgjasë jetën tuaj dhe të ndihmojë në lehtësimin e simptomave të shkaktuara nga kanceri. Mjeku punon për të arritur një ekuilibër midis kontrollit të simptomave tuaja dhe minimizimit të efekteve toksike të trajtimit. Qëllimi është t'ju ndihmojë të jetoni sa më cilësisht dhe sa më gjatë të jetë e mundur.
Trajtimet mund të përfshijnë:
- Terapia hormonale. Nëse kanceri juaj është pozitiv për receptorë hormonalë, mund të keni përfitim nga terapia hormonale. Në përgjithësi, terapia hormonale ka më pak efekte anësore sesa kimioterapia, prandaj në shumë raste ky është trajtimi i parë që përdoret për kancerin metastatik të gjirit.
- Kimioterapia. Mjeku mund të rekomandojë kimioterapi nëse kanceri juaj është negativ për receptorë hormonalë ose nëse terapia hormonale nuk funksionon më.
- Terapia e synuar. Nëse qelizat tuaja kanceroze kanë karakteristika të caktuara që i bëjnë të ndjeshme ndaj terapisë së synuar, mjeku mund të rekomandojë këto ilaçe.
- Imunoterapia. Imunoterapia përdor sistemin tuaj imunitar për të luftuar kancerin. Sistemi juaj imunitar mund të mos e sulmojë kancerin tuaj sepse qelizat e kancerit prodhojnë proteina që i ndihmojnë të fshihen nga qelizat e sistemit imunitar. Imunoterapia funksionon duke ndërhyrë në atë proces. Imunoterapia mund të jetë një opsion nëse keni kancer trefish negativ të gjirit, që do të thotë se qelizat e kancerit nuk kanë receptorë për estrogjen, progesteron ose HER2. Për kancerin trefish negativ të gjirit, imunoterapia kombinohet me kimioterapinë për trajtimin e kancerit metastatik që është përhapur në pjesë të tjera të trupit.
- Ilaçe për forcimin e kockave. Nëse kanceri është përhapur në kockat tuaja, mjeku mund të rekomandojë një ilaç për forcimin e kockave për të ulur rrezikun e frakturave të kockave ose për të ulur dhimbjen e kockave që mund të ndieni.
- Trajtime të tjera. Radioterapia dhe operacioni mund të përdoren në situata të caktuara për kontrollin e shenjave dhe simptomave të kancerit të avancuar/të përsëritur të gjirit.
Më shumë për tema të ngjashme gjeni në blogun tonë.
Burimi: Mayo Clinic




