Për pacientët / Blog

Rekomandime për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit

3. shtator 2024.

Rekomandime për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit

Zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit dhe marrja e terapisë onkologjike më të mirë janë dy nga mënyrat më të rëndësishme për parandalimin e vdekjes nga kanceri i gjirit.

Nëse kanceri i gjirit zbulohet në një fazë të hershme, kur është ende me përmasa të vogla dhe nuk është përhapur, është më i lehtë për t'u trajtuar me sukses. Kontrollet e rregullta janë mënyra më e besueshme për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.

Shoqata Amerikane e Kancerit ka udhëzime për shqyrtimin (skriningun) e grave që janë të ekspozuara ndaj rrezikut mesatar për zhvillimin e kancerit të gjirit, si dhe për ato me rrezik të lartë.

Çfarë janë testet e shqyrtimit (skriningut)?

Testet e shqyrtimit i referohen testeve dhe kontrolleve që përdoren për të zbuluar sëmundje tek njerëzit që nuk kanë simptoma. Qëllimi i skriningut për kancerin e gjirit është zbulimi i sëmundjes në fazë të hershme, para se të shkaktojë simptoma (si p.sh. një gungë e prekshme në gji). Zbulimi i hershëm do të thotë gjetja dhe diagnostikimi i sëmundjes para se simptomat të fillojnë.

Kanceri i gjirit i zbuluar gjatë kontrollit të skriningut shpesh është më i vogël dhe ka më pak gjasa të jetë përhapur jashtë gjirit. Madhësia e kancerit të gjirit dhe se sa është përhapur janë disa nga faktorët më të rëndësishëm në parashikimin e prognozës (perspektivave) të shërimit të një gruaje me këtë sëmundje.

Rekomandimet e Shoqatës Amerikane të Kancerit për skriningun e grave me rrezik mesatar nga kanceri i gjirit

Këto udhëzime janë të destinuara për gratë që janë të ekspozuara ndaj rrezikut mesatar nga kanceri i gjirit. Për qëllime skriningu, konsiderohet se një grua ka rrezik mesatar nëse nuk ka histori personale të kancerit të gjirit, histori të fortë familjare të kancerit të gjirit, mutacion gjenetik të njohur për rritjen e rrezikut nga kanceri i gjirit (si gjeni BRCA) dhe nuk ka pasur rrezatim të kraharorit para moshës 30 vjeç. (Shihni më poshtë udhëzimet për gratë me rrezik të lartë.)

  • Gratë mes moshës 40 dhe 44 vjeç kanë mundësinë të fillojnë skriningun me mamografi çdo vit.
  • Gratë mes moshës 45 dhe 54 vjeç duhet të bëjnë mamografi çdo vit.
  • Gratë 55 vjeç e lart mund të kalojnë në mamografi çdo dy vjet ose mund të vazhdojnë me mamografi vjetore. Skriningu duhet të vazhdojë përderisa gruaja është me shëndet të mirë dhe pritet të jetojë të paktën edhe 10 vjet.
  • Të gjitha gratë duhet të kuptojnë se çfarë mund të presin kur bëjnë mamografi për skriningun e kancerit të gjirit – çfarë mund dhe çfarë nuk mund të tregojë testi.
  • Kontrollet klinike të gjirit nuk rekomandohen për skriningun e kancerit të gjirit tek gratë me rrezik mesatar në çdo moshë.

Mamografia

Mamografia është një imazh rentgen me dozë të ulët e gjirit. Mamografitë e rregullta mund të ndihmojnë në zbulimin e kancerit të gjirit në fazë të hershme, kur shërimi i plotë ka më shumë gjasa të jetë i suksesshëm. Mamografia shpesh mund të zbulojë ndryshime në gji që mund të jenë kancer, vite përpara se të zhvillohen simptoma fizike. Studimet e kryera gjatë disa dekadave tregojnë qartë se gratë që bëjnë mamografi rregullisht kanë më shumë gjasa që kanceri i gjirit t'u zbulohet në fazë të hershme. Gjithashtu, ato kanë më pak nevojë për trajtime agresive si mastektomia dhe kimioterapia, si dhe gjasa më të mëdha për shërim.

Mamografitë nuk janë të përsosura. Ato mund të mos zbulojnë lloje të caktuara të kancerit të gjirit. Nëse diçka gjendet në mamografi, gruaja ka gjasa të nevojitet të bëjë teste shtesë (si mamografi shtesë ose ultrazë të gjirit) për të përcaktuar nëse është kancer. Gjithashtu, ekziston një shans i vogël që të diagnostikohet kancer që nuk do të kishte shkaktuar kurrë probleme nëse nuk do të ishte zbuluar gjatë kontrollit. (Kjo quhet diagnostikim i tepërt.) Është e rëndësishme që gratë që bëjnë mamografi ta dinë se çfarë mund të presin dhe të kuptojnë përparësitë dhe kufizimet e kontrollit.

Mamografia 2D kundrejt 3D

Në vitet e fundit, një lloj më i ri i mamografisë i quajtur tomosinteza dixhitale e gjirit (i njohur edhe si mamografia tredimensionale [3D]) është bërë shumë më i shpeshtë, edhe pse nuk është i disponueshëm në të gjitha qendrat për imazherinë e gjirit.

Shumë studime kanë treguar se mamografia 3D zvogëlon gjasat për testime shtesë pas skriningut. Gjithashtu duket se zbulon më shumë lloje të kancerit të gjirit, dhe disa studime kanë treguar se mund të jetë e dobishme tek gratë me gjinj më të dendur. Aktualisht është duke u zhvilluar një studim i madh që do t'i krahasojë më mirë rezultatet mes mamografisë 3D dhe mamografisë standarde (2D).

Duhet theksuar se mamografitë 3D shpesh kushtojnë më shumë se ato 2D, dhe ky kosto shtesë mund të mos mbulohet nga sigurimi.

Udhëzimet e Shoqatës Amerikane të Kancerit për skriningun e kancerit të gjirit e konsiderojnë kryerjen e mamografisë 2D ose 3D si në përputhje me rekomandimet aktuale. Shoqata Amerikane e Kancerit gjithashtu beson se gratë duhet të kenë mundësinë të zgjedhin mes mamografisë 2D dhe 3D nëse ato ose mjeku i tyre mendojnë se njëri prej këtyre testeve do të ishte më i përshtatshëm. Kostot nga xhepi nuk duhet të jenë pengesë për kryerjen e asnjërit prej këtyre kontrolleve.

Kontrolli klinik i gjirit dhe vetëkontrolli i gjirit

Studimet nuk kanë treguar përfitim të qartë nga kontrollet e rregullta fizike të gjirit të kryera nga një punonjës shëndetësor (kontrolli klinik i gjirit) ose vetë gruaja (vetëkontrolli i gjirit). Ka shumë pak dëshmi që këto teste ndihmojnë në zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit kur gratë gjithashtu bëjnë mamografi skriningu. Më së shpeshti, kur kanceri i gjirit zbulohet për shkak të simptomave (si një gungë në gji), gruaja e zbulon simptomën gjatë aktiviteteve të zakonshme si banjimi ose veshja. Gratë duhet të njohin mirë se si duken dhe si ndihen zakonisht gjinjtë e tyre, dhe duhet t'i raportojnë menjëherë doktorit të tyre çdo ndryshim.

Edhe pse Shoqata Amerikane e Kancerit nuk rekomandon kontrollet e rregullta klinike të gjirit ose vetëkontrollet e gjirit si pjesë e programit rutinor të skriningut për kancerin e gjirit, kjo nuk do të thotë se këto kontrolle nuk duhet të bëhen kurrë. Në disa situata, veçanërisht tek gratë me rrezik më të lartë se mesatarja, për shembull, mjekët mund të ofrojnë kontrolle klinike të gjirit, së bashku me këshillim mbi rrezikun dhe zbulimin e hershëm. Disa gra mund të ndihen më të sigurta nëse bëjnë vetëkontrolle rregullisht si një mënyrë për të monitoruar se si duken dhe si ndihen gjinjtë e tyre. Por, është e rëndësishme të kuptohet se ka shumë pak dëshmi që kryerja e rregullt e këtyre kontrolleve ndihmon gratë me rrezik mesatar nga kanceri i gjirit.

Rekomandimet e Shoqatës Amerikane të Kancerit për skriningun e grave me rrezik të lartë

Gratë që janë të ekspozuara ndaj rrezikut të lartë nga kanceri i gjirit, bazuar në faktorë të caktuar, duhet të bëjnë çdo vit rezonancë magnetike të gjirit (MRI) dhe mamografi, zakonisht duke filluar nga mosha 30 vjeç. Kjo përfshin gratë që:

  • Kanë rrezik gjatë gjithë jetës nga kanceri i gjirit prej rreth 20% deri në 25% ose më shumë, sipas mjeteve të vlerësimit të rrezikut që bazohen kryesisht në historinë familjare (shih më poshtë)
  • Kanë mutacion të njohur të gjenit BRCA1 ose BRCA2 (bazuar në testim gjenetik)
  • Kanë një të afërm të shkallës së parë (prind, vëlla, motër ose fëmijë) me mutacion të gjenit BRCA1 ose BRCA2, dhe vetë nuk kanë kaluar testim gjenetik
  • Kanë pasur rrezatim të kraharorit para moshës 30 vjeç
  • Kanë sindromën Li-Fraumeni, sindromën Cowden ose sindromën Bannayan-Riley-Ruvalcaba, ose kanë të afërm të shkallës së parë me ndonjë prej këtyre sindromave

Shoqata Amerikane e Kancerit nuk rekomandon skriningun me MRI për gratë, rreziku gjatë gjithë jetës i të cilave nga kanceri i gjirit është më i vogël se 15%.

Nuk ka dëshmi të mjaftueshme për të rekomanduar për ose kundër skriningut vjetor me MRI për gratë që kanë rrezik më të lartë gjatë gjithë jetës bazuar në faktorë të caktuar, si:

  • Histori personale të kancerit të gjirit, karcinomit duktal in situ (DCIS), karcinomit lobular in situ (LCIS), hiperplazisë duktale atipike (ADH) ose hiperplazisë lobulare atipike (ALH)
  • Gjinj "jashtëzakonisht" ose "heterogjenisht" të dendur sipas mamografisë

Nëse përdoret MRI, ajo duhet të përdoret së bashku me, e jo në vend të, mamografisë së skriningut. Kjo për shkak se, edhe pse MRI ka më shumë gjasa të zbulojë kancer se mamografia, ajo mund të mos zbulojë lloje të caktuara të kancerit që mamografia do t'i zbulonte.

Shumica e grave me rrezik të lartë duhet të fillojnë skriningun me MRI dhe mamografi kur mbushin 30 vjeç dhe të vazhdojnë përderisa janë me shëndet të mirë. Por, ky vendim duhet të merret në bashkëpunim me mjekun, duke marrë parasysh rrethanat personale dhe preferencat e gruas.

Mjetet e vlerësimit të rrezikut nga kanceri i gjirit

Disa mjete të vlerësimit të rrezikut mund të ndihmojnë punonjësit shëndetësorë të vlerësojnë rrezikun e një gruaje nga zhvillimi i kancerit të gjirit. Këto mjete japin vlerësime të përafërta të rrezikut nga kanceri i gjirit bazuar në kombinime të ndryshme të faktorëve të rrezikut dhe grupe të ndryshme të dhënash.

Meqenëse secili prej këtyre mjeteve përdor faktorë të ndryshëm për vlerësimin e rrezikut, ato mund të japin vlerësime të ndryshme të rrezikut për të njëjtën grua. Vlerësimet e rrezikut të një gruaje gjithashtu mund të ndryshojnë me kalimin e kohës.

Mjetet e vlerësimit të rrezikut që përfshijnë historinë familjare të të afërmve të shkallës së parë dhe të dytë nga të dyja anët e familjes duhet të përdoren së bashku me udhëzimet e ACS-së për të vendosur nëse gruaja duhet të bëjë skrining me MRI. Rezultatet e këtyre mjeteve duhet të merren në konsideratë në një bisedë mes gruas dhe doktorit të saj.

Zbuloni shumë këshilla të dobishme në blogun tonë.

Burimi: American Cancer Society