Radioterapia për kancerin e gjirit
9. maj 2023.


Radioterapia (terapia me rrezatim) e kancerit të gjirit përdor rreze rëntgeni me energji të lartë, protone apo grimca të tjera për të vrarë qelizat kancerogjene. Qelizat që rriten shpejt, siç janë qelizat kancerogjene, janë më të ndjeshme ndaj efekteve të terapisë me rrezatim se qelizat normale.
Rrezet X ose grimcat janë të padhimbshme dhe të padukshme. Pas trajtimit, ju nuk jeni radioaktiv/e dhe mund të qëndroni pa problem pranë personave të tjerë, përfshirë fëmijët.
Terapia me rrezatim për kancerin e gjirit mund të kryhet nëpërmjet:
- Rrezatimit të jashtëm (eksterior). Një makineri jep rrezatim nga jashtë trupit drejt gjirit. Ky është lloji më i zakonshëm i terapisë me rrezatim që përdoret për kancerin e gjirit.
- Rrezatimit të brendshëm (brakiterapia). Pas operacionit të heqjes së kancerit, mjeku juaj vendos përkohësisht një pajisje rrezatimi në gjirin tuaj, në zonën ku ka qenë kanceri. Burimi radioaktiv vendoset në pajisje për periudha të shkurtra gjatë trajtimit tuaj.
Terapia me rrezatim mund të përdoret për të trajtuar kancerin e gjirit pothuajse në çdo fazë. Përfaqëson një mënyrë efikase për të zvogëluar rrezikun e rishfaqjes së kancerit të gjirit pas operacionit. Përveç kësaj, zakonisht përdoret për të lehtësuar simptomat e shkaktuara nga kanceri që është përhapur në pjesë të tjera të trupit (kanceri metastatik i gjirit).
Rrezatimi pas lumpektomisë
Nëse i nënshtroheni operacionit të heqjes së kancerit të gjirit dhe lini të paprekur pjesën tjetër të indit të gjirit (lumpektomi ose operacion ruajtës i gjirit), mjeku juaj mund të rekomandojë rrezatim pas ndërhyrjes, në mënyrë që të vriten të gjitha qelizat kancerogjene që mund të kenë mbetur. Shtimi i rrezatimit pas lumpektomisë zvogëlon rrezikun që kanceri të kthehet në gjirin e prekur.
Lumpektomia e kombinuar me terapinë me rrezatim shpesh quhet terapi ruajtëse e gjirit. Ky lloj trajtimi është po aq efikas sa heqja e tërë indit të gjirit (mastektomia). Në situata të veçanta ku rreziku i përsëritjes është shumë i ulët, mjeku juaj mund të diskutojë gjithashtu mundësinë e shmangies së rrezatimit pas lumpektomisë.
Pas lumpektomisë, opsionet e trajtimit me rrezatim mund të përfshijnë:
- Rrezatimin e tërë gjirit. Njëri nga llojet më të zakonshme të terapisë me rrezatim pas lumpektomisë është rrezatimi i jashtëm i tërë gjirit.
- Rrezatimin e një pjese të gjirit. Terapia me rrezatim të një pjese të gjirit (rrezatim i pjesshëm) mund të jetë një opsion për disa kancere të fazave të hershme. Kjo teknikë e drejton rrezatimin e brendshëm ose të jashtëm në zonën përreth ku është hequr kanceri.
Rrezatimi pas mastektomisë
Rrezatimi mund të përdoret edhe pas mastektomisë. Në këtë situatë, rrezatimi mund të vrasë të gjitha qelizat kancerogjene që mund të kenë mbetur dhe të zvogëlojë rrezikun që kanceri të rishfaqet në indet e mbetura të murit të kraharorit apo në nyjet limfatike.
Kur vendos nëse duhet t'i nënshtroheni rrezatimit pas mastektomisë, mjeku juaj merr parasysh nëse keni:
- Nyje limfatike me shenja të kancerit të gjirit. Nyjet limfatike nën sqetull që janë pozitive për qeliza kancerogjene tregojnë se disa qeliza kancerogjene janë përhapur jashtë gjirit.
- Kancer të madh. Kanceri i gjirit më i madh se 2 inç (5 centimetra) përgjithësisht mbart rrezik më të lartë të përsëritjes sesa kancerët më të vegjël.
- Skaje indi me shenja të kancerit të gjirit. Pasi hiqet indi i gjirit, skajet e indit ekzaminohen për shenja të qelizave kancerogjene. Skajet shumë të ngushta ose skajet pozitive për qeliza kancerogjene janë faktor rreziku për përsëritje.
Rrezatimi për kancerin e gjirit lokalisht të përparuar
Terapia me rrezatim mund të përdoret gjithashtu për të trajtuar:
- Kancerin e gjirit që nuk mund të hiqet me operacion.
- Kancerin inflamator të gjirit, një lloj agresiv kanceri që përhapet në kanalet limfatike të lëkurës që mbulon gjirin. Ky lloj kanceri zakonisht trajtohet me kimioterapi para mastektomisë, e ndjekur nga rrezatimi, për të zvogëluar mundësinë e rishfaqjes.
Rrezatimi për trajtimin e kancerit metastatiktë gjirit
Nëse kanceri juaj i gjirit është përhapur (metastazuar) në pjesë të tjera të trupit, mund të rekomandohet terapia me rrezatim për të zvogëluar kancerin dhe për të ndihmuar në kontrollin e simptomave si dhimbja.
Rreziqet
Efektet anësore të radioterapisë ndryshojnë ndjeshëm në varësi të llojit të trajtimit dhe indit që trajtohet. Efektet anësore zakonisht janë më të theksuara nga fundi i trajtimit me rrezatim. Pasi të përfundojnë seancat tuaja, mund të kalojnë disa ditë apo javë përpara se efektet e padëshiruara të zhduken.
Efektet anësore të zakonshme gjatë trajtimit mund të përfshijnë:
- Lodhje të lehtë deri të moderuar
- Irritim të lëkurës, si kruarje, skuqje, zhvishje ose formim flluskash, ngjashëm me atë që mund të përjetoni te djegiet nga dielli
- Ënjtje të gjirit
Në varësi të indit që ekspozohet, terapia me rrezatim mund të shkaktojë ose të rrisë rrezikun për:
- Ënjtje të krahut (limfedemë) nëse trajtohen nyjet limfatike nën krah
- Dëmtime ose komplikime që çojnë në heqjen e implantit nëse keni pasur rindërtim të gjirit me implant pas mastektomisë
Rrallë, radioterapia mund të shkaktojë ose të rrisë rrezikun për:
- Thyerje të brinjëve ose ndjeshmëri të murit të kraharorit
- Inflamacion të indit të mushkërisë ose dëmtim të zemrës
- Kancere sekondare, si kanceri i eshtrave ose muskujve (sarkoma) ose kanceri i mushkërive




