Biopsia lëngshme: Çfarë është dhe kur përdoret te kanceri i gjirit?
15. maj 2025.

Biopsia lëngshme mund t'i ndihmojë mjekët në marrjen e vendimeve për trajtimin e personave me kancer metastatik të gjirit.
Në të ardhmen, shkencëtarët shpresojnë që testi i biopsisë lëngshme të mund të zbulojë kancerin ose sëmundje të tjera përmes një procedure minimalisht invazive: marrjes së gjakut. Ekziston një sërë studimesh që hulumtojnë përdorimin e biopsisë lëngshme te kanceri i gjirit. Megjithatë, aktualisht ajo përdoret rregullisht vetëm te kanceri metastatik i gjirit.
Çfarë është testi i biopsisë lëngshme?
Në thelb, biopsia lëngshme është një analizë gjaku. Kur bëhet te një person që ka kancer të gjirit, biopsia lëngshme analizon një mostër gjaku dhe kërkon qeliza kanceri, ADN ose ARN të kancerit, ose grimca të tjera që qelizat kancerogjene i lëshojnë dhe që kanë hyrë në qarkullimin e gjakut. Të gjitha grimcat që gjen biopsia lëngshme konsiderohen biomarkerë, pra molekula që janë shenjë e pranisë së sëmundjes.
Si dallon biopsia lëngshme nga biopsia e indit?
Biopsia lëngshme është shumë më pak invazive në krahasim me biopsinë tradicionale të indit. Gjatë biopsisë së indit, mjeku merr një mostër të tumorit kancerogjen, gjë që kërkon anestezi lokale ose të përgjithshme, një ose më shumë prerje, qepje dhe kohë për shërim. Mostra e tumorit më pas kalon nëpër një sërë analizash laboratorike.
Nga ana tjetër, biopsia lëngshme është thjesht marrje gjaku, e cila kryhet në ordinancën e mjekut ose në laborator.
Kur përdoren biopsitë lëngshme te kanceri i gjirit?
Aktualisht, biopsitë lëngshme bëhen rutinisht vetëm te personat te të cilët është diagnostikuar kanceri metastatik i gjirit. Ato përdoren për të gjetur ADN-në qarkulluese të tumorit, e njohur edhe si ctDNA. ctDNA përfaqëson fragmente të ADN-së së qelizave kancerogjene që kanë hyrë në qarkullimin e gjakut.
Duke analizuar ctDNA-në, mjekët mund të zbulojnë mutacione të caktuara gjenetike në qelizat e kancerit, si mutacionet ESR1, AKT1, PTEN, BRCA1/2 ose PIK3CA. Njohja e pranisë së këtyre mutacioneve te kanceri metastatik i gjirit u mundëson mjekëve të rekomandojnë medikamente që synojnë ato mutacione, duke përfshirë:
Orserdu (emri kimik: elacestrant),
Truqap (emri kimik: capivasertib),
Piqray (emri kimik: alpelisib),
Lynparza (emri kimik: olaparib),
Talzenna (emri kimik: talazoparib).
Biopsia e indit zakonisht bëhet edhe te kanceri metastatik i gjirit për të përcaktuar statusin e receptorëve hormonalë dhe statusin HER2 të kancerit. Edhe pse biopsia e indit gjithashtu mund të japë informacione mbi mutacionet gjenetike në kancer, marrja e këtyre informacioneve nga indi i hequr zgjat dukshëm më shumë sesa nga testi i gjakut i biopsisë lëngshme.
A mund të tregojnë biopsitë lëngshme nëse trajtimi i kancerit metastatik po funksionon?
Aktualisht mjekët nuk përdorin biopsitë lëngshme për të përcaktuar nëse kanceri metastatik i gjirit po përgjigjet ndaj trajtimit, sipas fjalëve të dr. Kevin Fox, profesor emeritus i mjekësisë në Universitetin e Pensilvanisë dhe onkolog mjekësor i specializuar në trajtimin e kancerit të gjirit.
„Ky përdorim i biopsisë lëngshme për të përcaktuar efikasitetin e terapisë te kanceri metastatik i gjirit është objekt hulumtimi, por ende nuk kemi arritur në atë pikë,” shpjegoi Fox. „Na duhen metoda imazherie për të parë nëse trajtimi po funksionon. Duhet të shohim nëse kanceri po zvogëlohet apo mbetet i qëndrueshëm.”
Hulumtimet e biopsisë lëngshme te kanceri i gjirit në stad të hershëm
Biopsitë lëngshme mund të zbulojnë gjithashtu qelizat tumorale qarkulluese (CTCs). Këto janë qeliza kancerogjene që janë shkëputur nga tumori dhe kanë kaluar në qarkullimin e gjakut. CTC-të janë të rëndësishme sepse pikërisht këto qeliza shkaktojnë rikthimin e sëmundjes dhe kancerin metastatik. Ato lëvizin nëpër qarkullimin e gjakut, komunikojnë me qeliza të tjera dhe me kalimin e kohës mund të formojnë një tumor në një vend të largët nga gjiri.
Studiuesit po hulumtojnë në mënyrë aktive se si zbulimi i këtyre molekulave përmes biopsisë lëngshme te personat me kancer të gjirit në stad të hershëm mund të ndihmojë në marrjen e vendimeve për trajtim dhe potencialisht të ndihmojë në vlerësimin e prognozës. Megjithatë, biopsitë lëngshme ende nuk përdoren rutinisht te sëmundja në stad të hershëm jashtë studimeve klinike.
Qelizat tumorale qarkulluese te kanceri i gjirit në stad të hershëm
Hulumtimet tregojnë se numri i CTC-ve është shumë i vogël – vetëm një qelizë për 10.000.000 qeliza të bardha të gjakut për 10 mL gjak. Sfida me këto qeliza është se, edhe pse testet mund t'i zbulojnë, nuk ka mënyrë për të ditur kur do të formojnë një tumor metastatik. Kjo mund të ndodhë pas pesë vjetësh, por edhe pas 25. Gjithashtu, nuk është e mundur të parashikohet se ku në trup do të shfaqet tumori. Derisa të shfaqen simptoma të dukshme ose një tumor që mund të zbulohet, asnjë mjek nuk do të rekomandonte trajtim, sepse efektet anësore do të ishin më të mëdha se përfitimet.
„Biopsia lëngshme për kancerin e gjirit në stad të hershëm është një fushë hulumtimi shumë interesante,” tha Fox. „Por ajo nuk duhet të përdoret në praktikën klinike të përditshme për këtë lloj kanceri. Çfarë do të bëni nëse i gjeni? Nuk mund të bëni asgjë sepse pacienti ende nuk ka nyje apo lezion. Do të ishte joetike të fillohej trajtimi. Kështu që pacienti nuk mund të bëjë asgjë tjetër përveçse të shqetësohet.”
ADN-ja qarkulluese e tumorit te kanceri i gjirit në stad të hershëm
Testet e biopsisë lëngshme mund të zbulojnë ctDNA edhe te personat me kancer të gjirit në stad të hershëm. Edhe kjo është një fushë hulumtimi aktiv, sepse, ashtu si CTC-të, ctDNA mund të çojë në rikthim të sëmundjes dhe kancer metastatik. Por gjithashtu, nëse ctDNA zbulohet te një person që ende nuk ka rikthim të sëmundjes, nuk është e qartë se çfarë duhet të bëjnë mjekët.
Në një artikull përmbledhës të vitit 2024 të botuar në revistën npj Breast Cancer, studiuesit kanë theksuar se testet e ctDNA-së te kanceri i gjirit në stad të hershëm janë mjet premtues për skrining, vlerësim të efikasitetit të terapisë dhe monitorim të sëmundjes së mbetur. Sëmundja e mbetur përfaqëson grumbullime shumë të vogla qelizash kancerogjene ose qeliza të vetme që mund të mbeten në trup pas operacionit, kimioterapisë, rrezatimit dhe trajtimeve të tjera fillestare.
Megjithatë, studiuesit kanë theksuar se ende ka pyetje se si të përzgjidhen pacientët që do të përfitonin më shumë nga këto teste, kur duhet të bëhen testet dhe sa të sakta e të besueshme janë.
Mos harroni të lexoni tekstet e tjera në blogun tonë.
Burimi: Breastcancer.org




