Limfedema
18. korrik 2025.

Kur trajtimet e kancerit të gjirit, si mastektomia, lumpektomia dhe radioterapia, dëmtojnë enët limfatike përreth, kjo mund të çojë në limfedemë. Një nga efektet anësore të mundshme të operacionit të karcinomës së gjirit dhe trajtimeve të tjera, si rrezatimi, është limfedema.
Çfarë është limfedema?
Limfedema është ënjtje jonormale që ndodh kur sistemi limfatik është i dëmtuar ose i mbingarkuar dhe nuk mund të largojë mjaftueshëm shpejt lëngun limfatik, prandaj ai grumbullohet. Limfa është një lëng i kthjellët, ujor, që qarkullon në sistemin limfatik dhe largon mbeturinat, bakteret dhe substanca të tjera nga indet e trupit. Edema tregon grumbullimin e lëngut të tepërt. Te personat e trajtuar për karcinomë të gjirit, limfedema zhvillohet më shpesh në krahun ose dorën e anës së prekur, por mund të shfaqet edhe në gji, kraharor, sqetull, trup ose shpinë.
Askush nuk mund të thotë me siguri nëse do të zhvilloni limfedemë pas trajtimit të kancerit të gjirit, por mund t'i ndihmoni vetes duke
- njohur faktorët tuaj të rrezikut
- ndërmarrë hapa për uljen e rrezikut
- vëzhguar shenjat dhe simptomat e hershme
Shenjat dhe simptomat e limfedemës
Limfedema mund të zhvillohet gradualisht dhe të përparojë me kohën. Para ënjtjes së dukshme, mund të ndieni herë pas here ndjesi të pazakonta, si mizëri apo mpirje.
Simptomat e limfedemës pas trajtimit të kancerit të gjirit përfshijnë:
- ndryshime në teksturën ose pamjen e lëkurës – ngushtim, kruarje, skuqje ose fortësim
- dhembje, mizëri, siklet ose ngrohtësi të shtuar në krah, dorë, gji, kraharor ose sqetull
- ndjesi plotësie ose rëndese në krah, dorë, gji, kraharor ose sqetull
- ngushtim ose lëvizshmëri të reduktuar të nyjeve të afërta, si supi, dora ose kyçi i dorës
- dhembje të papritura, therëse ose ndjesi "gjilpërash"
- ndjeshmëri në bërryl
- ënjtje të lehtë me gropëzim kalimtar kur shtypet me gisht (i ashtuquajturi pitting edem)
- vena ose tendina më pak të dukshme në dorë, nyje gishtash më pak të theksuara ose lëkurë të zbutur, dikur me rrudha
- temperaturë të ngritur ose simptoma të ngjashme me grip
Nëse shfaqet papritur ënjtje e theksuar – zona rritet brenda një apo dy ditësh – kontaktoni menjëherë mjekun. Kjo mund të tregojë infeksion, mpiksje gjaku (trombozë të thellë venoze) ose rikthim të kancerit që pengon sistemin limfatik.
Si funksionon sistemi limfatik
Të kuptuarit e funksionimit të sistemit limfatik ndihmon të kuptohet pse shfaqet limfedema. Sistemi limfatik dhe ai kardiovaskular mbajnë së bashku ekuilibrin e lëngjeve trupore: sjellin lëndë ushqyese te indet dhe organet, si dhe largojnë produktet e mbeturinave.
Faktorët e rrezikut për zhvillimin e limfedemës
Çdo gjë që mund të dëmtojë enët limfatike nën lëkurë dhe të ndërpresë rrjedhën e limfës, rrit rrezikun e limfedemës ose përkeqësimin e saj.
Kirurgjia e kancerit të gjirit
Ndërhyrjet më të gjera, si mastektomia, mbartin rrezik më të lartë për limfedemë sesa lumpektomia. Ekspertët besojnë gjithashtu se operacionet e shumta në gjoks – qoftë për trajtimin e karcinomës së gjirit ose gjendjeve të tjera – mund të dëmtojnë sistemin limfatik dhe të rrisin rrezikun. Heqja e nyjeve limfatike gjatë operacionit rrit më tej rrezikun, i cili shtohet me numrin e nyjeve të hequra. Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Kancerit (SHBA), limfedema zhvillohet te 5–17% e personave që kanë kryer biopsi të nyjes limfatike rojtare (hiqen 1–3 nyje), ndërsa kjo përqindje rritet në 20–53% te disekimi i nyjeve limfatike aksilare (hiqen 10 ose më shumë nyje).
Operacionet pas diagnozës së limfedemës
Nëse tashmë keni limfedemë dhe planifikoni ndonjë operacion, përfshirë rindërtimin e gjirit, pyesni kirurgun dhe ekipin onkologjik se si të monitoroni përkeqësimin e mundshëm dhe të parandaloni grumbullimin e limfës dhe lëngut.
Radioterapia
Rrezatimi mund të dëmtojë sistemin limfatik. Indi i mbresës i krijuar nga radioterapia mund të shtypë ose ngushtojë enët dhe nyjet limfatike të mbetura, duke penguar rrjedhjen e limfës nga krahu dhe pjesa e sipërme e trupit.
Kimioterapia
Gjilpëra për kimioterapinë intravenoze (IV) mund të rrisë rrezikun nëse vendoset në krahun e së njëjtës anë nga e cila janë hequr nyjet limfatike. Kërkojini personelit mjekësor ta vendosin IV-në në krahun tjetër. Nëse nyjet janë hequr dyanshëm, diskutoni për vendosjen e një porti gjoksor.
Lexoni më shumë rreth kimioterapisë: Kimioterapia për karcinomën e gjirit.
Pesha e tepërt trupore
Personat me kilogramë të tepërt kanë rrezik më të lartë për limfedemë pas trajtimit të karcinomës së gjirit. Indi yndyror shtesë mund të shtypë enët dhe nyjet limfatike dhe të pengojë drenazhimin.
Infeksioni ose lëndimi
Lëndimi ose infeksioni mund të nxisin ose përkeqësojnë limfedemën, veçanërisht kur sistemi limfatik është i dobësuar nga nyjet e hequra. Inflamacioni si pasojë e lëndimit ose infeksionit rrit qarkullimin e gjakut dhe limfës; nëse sistemi limfatik nuk mund ta përballojë rrjedhën e shtuar, ndodh ënjtja. Përdorimi i tepërt i gjymtyrës mund të ketë të njëjtin efekt, pasi përpjekja shtesë rrit qarkullimin e gjakut dhe lëngut.
Në blogun tonë mund të gjeni edhe shumë tema të tjera të dobishme.
Burimi: Breastcancer.org




