Trupi pas trajtimit të kancerit të gjirit
31. korrik 2025.

Lexoni rreth mënyrës se si kanceri i gjirit dhe trajtimet e tij mund të shkaktojnë ndryshime në trupin dhe pamjen tuaj.
Ndryshimet në trup pas operacionit
Shumica e njerëzve kalojnë nëpër operacion si pjesë e trajtimit të kancerit të gjirit. Pas operacionit, zona e gjirit ose kraharorit zakonisht është e mavijosur dhe e ënjtur, por mavijosjet dhe ënjtja do të tërhiqen me kalimin e kohës. Ndoshta do të ndjeni emocione të ndryshme lidhur me trupin tuaj pas operacionit. Disa njerëz mendojnë se operacioni nuk ua ndryshon mënyrën se si e perceptojnë veten. Megjithatë, të tjerëve u është më vështirë t'i pranojnë ndryshimet dhe kjo mund të dëmtojë vetëbesimin dhe vetëvlerësimin e tyre.
Përshtatja me ndryshimet pas operacionit
Hulumtimet tregojnë se sa më herët t'i shikoni ndryshimet fizike në trupin tuaj, aq më lehtë do të fitoni vetëbesim në pamjen tuaj. Megjithatë, disa njerëz nuk do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë në fazën e hershme. Herët e para kur do të shikoheni ndoshta do të ndiheni të trishtuar dhe të tronditur dhe do të dëshironi ta shmangni shikimin e përsëritur. Megjithatë, ndjenjat intensive fillestare do të zbuten me kalimin e kohës, ndërsa mësoheni me pamjen tuaj të re. Nëse keni partner, t'i lejoni atij/asaj që t'i shohë më herët shenjat kirurgjikale dhe ndryshimet në trupin tuaj mund ta lehtësojë intimitetin afatgjatë.
Hapa që mund t'ju ndihmojnë të përshtateni me pamjen tuaj
- Së pari, mund të ndihmojë të qëndroni para pasqyrës në madhësi natyrale plotësisht të veshur dhe të veçoni tri gjëra që vërtet ju pëlqejnë te vetja.
- Pastaj bëni të njëjtën gjë të veshur vetëm me të brendshme.
- Kur të jeni gati, kaloni te shikimi i trupit tuaj lakuriq në pasqyrën në madhësi natyrale. Përshkruani çfarë shihni, çfarë ju pëlqen dhe çfarë ju shkakton siklet.
- Shikoni dhe prekni shenjat tuaja kirurgjikale ose gjirin e rikonstruktuar për t'u mësuar me ndjesinë e asaj zone.
- Sa më shpesh ta shikoni dhe prekni trupin tuaj, aq më pak „ndryshe“ do t'ju duket.
Disa do të ndihen ende të pakëndshëm kur ta shohin trupin e tyre. Nëse i keni provuar teknikat e mësipërme dhe ju është ende e vështirë apo shqetësuese të shikoheni, biseda me një psikolog ose terapeut mund të jetë e dobishme.
Rikonstruksioni dhe proteza
Rikonstruksioni i gjirit
Disa persona vendosin për rikonstruksion të gjirit ose mbajtje të protezës. Proteza e gjirit është një formë artificiale gjiri që zëvendëson një pjesë ose tërë gjirin që është hequr.
Për disa, mbajtja e protezës është zgjidhje e përkohshme para rikonstruksionit. Të tjerë nuk duan ose nuk mund të bëjnë rikonstruksion dhe protezën e konsiderojnë zgjedhje të përshtatshme afatgjate. Disa nuk mbajnë protezë fare, as nuk bëjnë rikonstruksion.
Vendosja nëse do të mbeteni „të sheshtë“, do të bëni rikonstruksion apo do të mbani protezë është vendim shumë personal. Është e rëndësishme që çdo vendim juaj të bazohet në atë çfarë është më e mira për ju.
Mund t'ju vlejë edhe teksti ynë për zgjedhjen e sytjenës, veshjeve dhe kostumit të banjës së përshtatshëm.
Ndryshime të tjera
Simptomat e menopauzës
Simptomat e menopauzës janë efekt anësor i shpeshtë i trajtimit të kancerit të gjirit, sepse trajtimet mund të bllokojnë veprimin e hormoneve femërore ose të ndalojnë plotësisht prodhimin e tyre. Simptomat që mund të ndikojnë në perceptimin e trupit, intimitetit dhe seksualitetit tuaj përfshijnë:
- Valë të nxehta
- Djersitje gjatë natës
- Humbje e dëshirës seksuale
- Ndryshime në përjetimin e orgazmës
- Thatësi dhe dhembje vaginale
Shtimi i peshës trupore
Shtimi në peshë gjatë dhe pas trajtimit mund të ndodhë për arsye të ndryshme. Disa barna rrisin oreksin. Gjatë terapisë mund të jeni më pak aktiv/e. Ndoshta hani më shumë për shkak të ankthit apo ndryshimit të rutinës. Shtimi i peshës mund të ndikojë në perceptimin e trupit tuaj dhe të ulë vetëbesimin. Megjithatë, ushqyeshmëria e shëndetshme pas trajtimit dhe aktiviteti fizik i rregullt ose ushtrimet mund të ndihmojnë të humbni peshë dhe ta ruani atë.
Do të ishte e dobishme të lexoni edhe: Pas trajtimit të kancerit të gjirit: si ta përshtatni stilin tuaj të jetës.
Humbja dhe rritja e re e flokëve
Humbja ose hollimi i flokëve mund të jetë efekt anësor shqetësues i disa trajtimeve të kancerit të gjirit. Flokët janë për shumë njerëz pjesë e rëndësishme e identitetit, prandaj humbja e tyre mund të dëmtojë vetëbesimin. Humbja e flokëve pothuajse gjithmonë është e përkohshme. Flokët zakonisht fillojnë të rriten sërish pas përfundimit të terapisë, ndonjëherë edhe më herët. Personat me kancer të përparuar (sekondar) të gjirit mund të trajtohen për një kohë më të gjatë, për sa kohë ekipi vlerëson se terapia sjell përfitim, kështu që humbja apo hollimi i flokëve mund të jetë më i gjatë.
Limfedema
Limfedema është ënjtje e krahut, dorës ose zonës së gjirit/kraharorit e shkaktuar nga grumbullimi i lëngut limfatik në indet sipërfaqësore. Limfedema mund të ndikojë edhe fizikisht edhe emocionalisht; mund të ndiheni ndryshe në trupin tuaj dhe të duhet t'i përshtateni edhe një ndryshimi tjetër të pamjes. Nëse keni limfedemë, ndoshta do t'ju duhet të mbani mëngë kompresioni, shenjë e dukshme se diçka është ndryshe. Mbajtja e mëngës mund të kërkojë edhe përshtatje të veshjes.
Lexoni më shumë: Limfedema.
Ndihma nëse ju nevojitet
Biseda rreth ndryshimeve të trupit, seksualitetit dhe intimitetit mund të jetë e vështirë. Megjithatë, zgjidhja e këtyre shqetësimeve është pjesë e rëndësishme e trajtimit dhe kujdesit tuaj për kancerin e gjirit.
Lexoni më shumë: Perceptimi i trupit dhe seksualiteti pas trajtimit të kancerit të gjirit.
Në blogun tonë lexoni edhe tekste të tjera të dobishme.
Burimi: Breast Cancer Now




