Karcinoma invazive duktale (IDC)
20. janar 2025.

Rreth 80% e të gjitha karcinomave të gjirit janë karcinomë invazive duktale (IDC). Cilat janë shenjat për të cilat duhet të kini kujdes?
Çfarë është karcinoma invazive duktale?
Karcinoma invazive duktale (IDC), e njohur edhe si karcinomë duktale infiltruese, është forma më e shpeshtë e kancerit të gjirit. Sipas të dhënave të Shoqatës Amerikane të Kancerit, IDC përbën rreth 80% të të gjitha karcinomave të gjirit.
“Invazive” do të thotë se kanceri është përhapur në indet përreth gjirit. “Duktale” tregon se kanceri ka filluar në kanalet e qumështit, tubat që bartin qumështin nga lobulet deri te thithka. “Karcinomë” i referohet çdo forme kanceri që fillon në lëkurë ose në inde të tjera që veshin organet e brendshme, siç është indi i gjirit.

Gjiri normal me karcinomë invazive duktale (IDC) në prerje të zmadhuar të kanalit
Profili i gjirit: A. Kanalet B. Lobulet C. Pjesa e zgjeruar e kanalit për mbajtjen e qumështit D. Thithka E. Indi dhjamor F. Muskuli i madh pektoral G. Muri i kraharorit/kafazi i brinjëve Pamja e zmadhuar: A. Qelizat normale të kanalit B. Qelizat e karcinomës duktale që depërtojnë membranën bazale C. Membrana bazale
Shenjat dhe simptomat e karcinomës invazive duktale
Në shumë raste, karcinoma invazive duktale nuk shkakton asnjë simptomë dhe zbulohet kur mjeku vëren një zonë të dyshimtë në mamografi gjatë ekzaminimit.
Në raste të tjera, ju ose mjeku juaj mund të ndjeni një gungë ose masë në gji.
Shenjat e tjera të karcinomës invazive duktale përfshijnë:
- ënjtje të tërë gjirit ose të një pjese të tij
- irritim të lëkurës
- vrimosje të lëkurës, ndonjëherë e ngjashme me lëvoren e portokallit
- dhimbje në gji ose thithkë
- tërheqje të thithkës nga brenda (retraksion)
- sekrecion nga thithka, përveç qumështit
- skuqje, zhvishje ose trashje të lëkurës së thithkës ose gjirit
- gungë ose ënjtje në zonën e sqetullës
Diagnoza e karcinomës invazive duktale
Diagnoza e karcinomës invazive duktale përfshin një kombinim procedurash dhe pothuajse gjithmonë përfshin:
Metoda të tjera që mund të përdoren janë:
- ultratingulli
- rezonanca magnetike e gjirit (MRI)
Stadet e karcinomës invazive duktale
Stadi i karcinomës invazive duktale përcaktohet nga parametra karakteristikë për diagnostikimin e kancerit, si madhësia e tij dhe prania e receptorëve hormonalë.
Stadi i kancerit ju ndihmon juve dhe mjekut tuaj që të:
- vendosni për opsionet më të mira të trajtimit
- përcaktoni nëse studime të caktuara klinike janë të përshtatshme për ju
- vlerësoni prognozën
Përgjithësisht, stadet e karcinomës invazive duktale përshkruhen me numra nga I deri IV:
- Stadet I, II dhe III përshkruajnë fazat e hershme të kancerit që nuk është përhapur jashtë gjirit ose nyjeve limfatike të sqetullës në të njëjtën anë ku ndodhet kanceri i gjirit.
- Stadi IV përshkruan kancerin që është përhapur jashtë gjirit dhe nyjeve limfatike të sqetullës në pjesë të tjera të trupit, siç janë kockat ose mëlçia.
Gradët e karcinomës invazive duktale
Grada e kancerit, e njohur edhe si grada e Notingamit ose rezultati histologjik, mund të variojë nga e ulët në të lartë. Grada e karcinomës bazohet në atë se sa qelizat e kancerit i ngjajnë qelizave normale. Grada e karcinomës dallon nga stadi i kancerit. Ekzistojnë tre grada të kancerit:
- Grada 1 (gradë e ulët): Zakonisht tregon kancer që rritet ngadalë dhe ka më pak gjasa të përhapet.
- Grada 2 (gradë e moderuar): I referohet kancerit që rritet më shpejt se grada 1, por më ngadalë se grada 3.
- Grada 3 (gradë e lartë): I referohet kancerit që rritet më shpejt se gradat 1 dhe 2 dhe që ka gjasa më të mëdha për t'u përhapur.
Zakonisht, karcinoma me gradë më të ulët ka rezultate më të mira të trajtimit.
Nëse ju është diagnostikuar karcinomë invazive duktale, mjeku juaj do të kryejë analiza shtesë për të mbledhur informacione mbi karakteristikat e kancerit. Këto teste, si dhe rezultatet e biopsisë suaj, përbëjnë pjesë të raportit tuaj patologjik.
Informacionet që zakonisht mblidhen në raportin patologjik përfshijnë:
- madhësinë e kancerit të gjirit
- nekrozën e tumorit
- skajet e tumorit
- invazionin limfovaskular
- statusin e nyjeve limfatike
- statusin e receptorëve hormonalë
- statusin HER2
- shkallën e rritjes së qelizave (nivelet Ki-67)
Nëntipet e karcinomës invazive duktale
Ekzistojnë disa nëntipe të rralla të karcinomës invazive duktale. Këto nëntipe shpesh emërtohen sipas karakteristikave që shihen nën mikroskop, siç është mënyra se si janë të renditura qelizat. Simptomat, diagnoza, stadet, opsionet e trajtimit dhe ndjekja janë përgjithësisht të njëjta për të gjitha nëntipet e IDC-së.
- Karcinoma tubulare e gjirit: Përbën më pak se 2% të të gjitha karcinomave të gjirit. Kur shihen nën mikroskop, qelizat e këtij karcinomi duken si tubulat e vegjël. Këto tumore zakonisht janë me gradë të ulët, receptor-hormon-pozitive dhe HER2-negative.
- Karcinoma medulare e gjirit: Përbën më pak se 5% të të gjitha karcinomave të gjirit. Është quajtur “medulare” sepse tumori duket si masë e butë, mishtore që i ngjan një pjese të trurit të quajtur medulla. Karcinomat medulare shpesh janë trefish negative (receptor estrogeni negativ, receptor progesteroni negativ dhe HER2-negativ). Megjithatë, ndryshe nga shumica e karcinomave trefish negative të gjirit, që zakonisht janë më agresive, karcinoma medulare nuk rritet shpejt dhe zakonisht nuk përhapet jashtë gjirit në nyjet limfatike.
- Karcinoma mukinoze e gjirit: Quhet gjithashtu karcinomë koloide, përbën më pak se 2% të të gjitha karcinomave të gjirit. Quhet “mukinoze” sepse tumori prodhon mucin, një substancë natyrale dhe përbërës kyç i mukusit. Këto karcinoma zakonisht janë me gradë të ulët, receptor-hormon-pozitive dhe HER2-negative.
- Karcinoma papilare e gjirit: Përbën më pak se 1% të të gjitha karcinomave të gjirit. Kur qelizat shihen nën mikroskop, ato kanë zgjatime si gishtat, ose “papila”. Karcinomat papilare zakonisht janë të vogla, receptor-hormon-pozitive dhe HER2-negative.
- Karcinoma kribriforme e gjirit: Përbën më pak se 1% të të gjitha karcinomave të gjirit. Te karcinoma invazive kribriforme, qelizat e kancerit depërtojnë në shtresat e thella të indit që shërben si mbështetje për organet (indet lidhëse të gjirit) në formacione si folenj mes kanaleve dhe lobuleve. Brenda tumorit ka vrima karakteristike ndërmjet qelizave të kancerit, gjë që e bën të ngjajë me djathin zviceran. Karcinoma kribriforme zakonisht është me gradë të ulët.
- Karcinoma metaplastike e gjirit: Përbën më pak se 1% të të gjitha karcinomave të gjirit. Karcinomat metaplastike të gjirit përmbajnë qeliza anormale të kanalit, por edhe qeliza që duken si indet e buta dhe lidhëse të gjirit. Qelizat e kanalit kanë ndryshuar formën e tyre dhe janë bërë qeliza krejtësisht të ndryshme, megjithëse nuk është e qartë se si dhe pse ndodh kjo. Kur qelizat ndryshojnë formën, kjo quhet metaplazi, gjë që i jep emrin këtij lloji të kancerit të gjirit. Kanceri metaplastik i gjirit konsiderohet më agresiv, zakonisht me gradë të lartë dhe trefish negativ.
Lexoni më shumë për tema të ngjashme në blogun tonë.
Burimi: Breastcancer.org




