Për pacientët / Blog

Ultratingulli i gjirit

28. nëntor 2025.

Ultratingulli i gjirit

Ultratingulli i gjirit është një ekzaminim me imazheri që mjeku e përdor për të marrë pamje të qarta të brendisë së gjinjve tuaj. Mund t'ju duhet ultratingulli i gjirit nëse mjeku dëshiron të rishikojë një zonë që dukej anormale ose e paqartë në mamografi. Mjeku gjithashtu mund të rekomandojë ultratingullin e gjirit së bashku me mamografinë gjatë ekzaminimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.

Çfarë është ultratingulli i gjirit?

Ultratingulli i gjirit është një ekzaminim që përdor valë zanore për të krijuar pamje të strukturave të brendshme të gjirit. I mundëson mjekut të fokusohet në pjesën e saktë të gjirit që dëshiron ta shohë më mirë. Mund t'ju rekomandohet ultratingulli pas mamografisë, për të ekzaminuar më në detaje ndryshimet e vërejtura, ose së bashku me mamografinë për shqyrtim (skrining) të kancerit të gjirit.

Është e dobishme të lexoni edhe tekstin vijues: Mamografia dhe Shqyrtimi i kancerit të gjirit.

Çfarë mund të tregojë ultratingulli i gjirit?

Ultratingulli i gjirit mund të tregojë nëse një gunga në gji është cistë e mbushur me lëng (që zakonisht nuk është kancerogjene) ose masë e ngurtë (që mund të jetë kancerogjene dhe mund të kërkojë teste të mëtejshme).

Kur nevojitet ultratingulli i gjirit?

Mjeku juaj mund të porositë ultratingullin e gjirit nëse:

  • Dëshiron të shohë më mirë një pjesë të caktuar të gjirit që dukej anormale, e paqartë ose e ndryshme nga pjesa tjetër e gjirit në mamografi.

  • Ju ose mjeku mund të ndjeni një gungë në gji.

  • Keni dhimbje në një zonë të caktuar të gjirit.

  • Keni strukturë të dendur të indit të gjirit — atëherë mjeku mund të rekomandojë ultratingull së bashku me mamografinë si pjesë e ekzaminimit rutinor.

  • Jeni më të re se mosha e rekomanduar për mamografi të rregullta.

Mjekët gjithashtu përdorin ultratingullin gjatë biopsisë për t'u siguruar që marrin mostrën e indit nga vendi i duhur. Pas kësaj, patologu ekzaminon indin nën mikroskop për të konfirmuar ose përjashtuar kancerin e gjirit.

Ju rekomandojmë të lexoni tekstin: Biopsia e gjirit.

Detaje rreth testit

Si funksionon ultratingulli i gjirit?

Për të marrë pamje të brendisë së gjirit, mjeku lëviz një pajisje të vogël dore (sondë) mbi gji dhe zonën përreth. Sonda përdor valë zanore me frekuencë të lartë për të krijuar pamje të indeve dhe strukturave brenda gjirit. Mjeku i ndjek këto pamje në ekranin e kompjuterit.

Si të përgatiteni për ultratingullin e gjirit?

Në ditën e ekzaminimit mos përdorni deodorant, locione ose pudra në ose rreth gjinjve, sepse këto produkte mund ta vështirësojnë marrjen e pamjeve të qarta. Rekomandohet të vishni rroba komode për t'u zhveshur më lehtë.

Çfarë mund të pres gjatë ultratingullit të gjirit?

Gjatë ultratingullit të gjirit:

  1. Do të zhvisheni deri në bel dhe do të hiqni të gjitha bizhuteritë.

  2. Do të vishni një fustan spitalor që hapet nga përpara.

  3. Do të shtriheni në tavolinën e ekzaminimit. Mjeku do t'ju ndihmojë të pozicionoheni, zakonisht me krahun të ngritur mbi kokë.

  4. Mjeku do të vendosë xhel transparent në gji dhe sondë.

  5. Do të vendosë sondën në gji dhe do ta lëvizë për të marrë pamjet e nevojshme.

  6. Do të ruajë pamjet më të qarta të zonës që ekzaminon.

Sa zgjat ultratingulli i gjirit?

Ultratingulli i gjirit zakonisht zgjat rreth 30 minuta.

Çfarë mund të pres pas ultratingullit të gjirit?

Pas ekzaminimit, mjeku do të shqyrtojë dhe interpretojë pamjet dhe do t'ju thotë nëse ju nevojiten teste ose procedura shtesë. Ndonjëherë, bazuar në pamjet, mjeku do të rekomandojë biopsi – dhe zakonisht do ta caktojë para se të largoheni nga klinika.

A ka ultratingulli i gjirit rreziqe ose kufizime?

Ultratingulli përdor valë zanore për të krijuar pamjet, çka do të thotë se nuk ka rrezatim dhe nuk ka rreziqe të njohura shëndetësore. Megjithatë, ka kufizime – zakonisht përdoret për të ekzaminuar një zonë të caktuar të gjirit. Për këtë arsye, mamografia mbetet metoda më e mirë për ekzaminimin e të gjithë gjirit.

Nëse keni rrezik të shtuar për kancer të gjirit, mjeku mund të rekomandojë kombinimin e mamografisë dhe ultratingullit për shqyrtim më të saktë.

Lexoni edhe tekstin: Sa i madh është rreziku juaj për kancer të gjirit?

Shëndeti duhet gjithmonë të jetë në vend të parë! Mos harroni të lexoni temat e tjera të dobishme në blogun tonë.

Burimi: Cleveland Clinic