Skrinimi i kancerit të gjirit
8. tetor 2025.

Skrinimi i kancerit të gjirit nënkupton metoda të ndryshme të imazherisë me të cilat ekzaminohet indi i gjirit për të përcaktuar nëse ekziston kanceri. Këto ekzaminime mund të zbulojnë sëmundjen në fazë të hershme, para se të shfaqet ndonjë simptomë. Udhëzimet e përgjithshme rekomandojnë që shumica e grave duhet të bëjnë mamografi çdo një deri në dy vjet, duke filluar nga mosha 40 vjeç. Nëse keni rrezik të lartë për kancer gjiri, mjeku juaj mund të rekomandojë ekzaminime më të shpeshta.
Përmbledhje
Çfarë është skrinimi i kancerit të gjirit?
Skrinimi i kancerit të gjirit përfaqëson teste mjekësore që ndihmojnë në zbulimin e kancerit të gjirit, shpesh edhe para se të keni ndonjë shenjë ose simptomë të sëmundjes. Ato janë shumë të rëndësishme për shëndetin tuaj sepse mund të ndihmojnë që kanceri të gjendet herët, kur është më i lehtë për t'u trajtuar.
Hulumtimet tregojnë vazhdimisht se skrinimi i kancerit të gjirit shpëton jetë. Bisedoni me mjekun tuaj se kur duhet të filloni me skrinimin dhe sa shpesh duhet ta bëni. Gjithashtu, mjeku juaj mund të rekomandojë cili lloj skrinimi është më i miri për ju.
Skrinimi vetë nuk diagnostikon kancerin e gjirit. Nevojitet kombinim testesh dhe procedurash për të vendosur diagnozën e kancerit të gjirit. Megjithatë, skrinimi ndihmon mjekun të njohë kur duhet të ekzaminojë më në detaje mundësinë e ekzistencës së kancerit.
Cilat janë llojet e ndryshme të skrinimit të kancerit të gjirit?
Mjekët përdorin disa lloje metodash imazherike për të ekzaminuar indin e gjirit dhe për të kontrolluar shenjat e kancerit të gjirit. Ndonjëherë përdoren dy ose tre teste për të arritur diagnozën e kancerit të gjirit. Radiologu analizon imazhet e krijuara gjatë skrinimit.
Mamografia
Mamografia është standardi i artë për zbulimin e kancerit të gjirit dhe forma më e zakonshme e skrinimit. Përdor një makinë të veçantë me rreze X që krijon imazh të brendësisë së gjirit. Gjatë ekzaminimit, gjiret vendosen midis dy pllakave të rrafshta që i shtypin lehtë.
Mamografitë mund të jenë 2D ose 3D (tomosinteza e gjirit). Mamografitë 3D zakonisht japin imazhe më të qarta dhe më të detajuara, por jo të gjitha institucionet shëndetësore e kanë këtë teknologji.
Më shumë për mamografinë lexoni këtu: Mamografia
Ultratingulli i gjirit
Ultratingulli është një tjetër mjet që përdoret për ekzaminimin e brendësisë së gjirit. Mjeku mund të rekomandojë ultratingull nëse në mamografi ose gjatë ekzaminimit të gjirit vërehet diçka e pazakontë. Mjeku lëviz një pajisje të vogël dore mbi gji ose përdor një aparat më të madh ultrasonografik për të ekzaminuar tërë gjirin. Pajisja dërgon valë zanore nëpër indin e gjirit dhe i shndërron ato në imazhe që shfaqen në ekran.
MRI-ja e gjirit
MRI-ja e gjirit është një tjetër test që përdor magnet dhe valë radio për të krijuar imazhe të qarta të brendësisë së gjireve. Përdoret së bashku me metoda të tjera të skrinimit, veçanërisht te gratë me rrezik më të lartë ose ato që kanë pasur rezultat jonormal të mamografisë.
Imazheria molekulare e gjirit (MBI)
MBI është një test që përdor një marker radioaktiv dhe një kamerë të veçantë gama për të theksuar qelizat kanceroze në indin e gjirit. Kjo metodë „ndriçon“ zonat ku qelizat duken jonormale ose ndahen në mënyrë të pakontrolluar. Është veçanërisht e dobishme te gratë me ind të dendur të gjirit.
Ekzaminime të gjireve pa imazheri
Njohja e pamjes dhe ndjesisë së gjireve tuaja është një mënyrë e mirë për të vërejtur ndryshime në shëndetin e tyre. Kjo ndonjëherë quhet vetëdija për gjiret. Çdo ndryshim duhet raportuar menjëherë te mjeku juaj.
Ekzistojnë dy lloje shtesë ekzaminimesh të gjireve që nuk përfshijnë pajisje të veçanta:
• Ekzaminimi klinik i gjireve: mjeku juaj palpon gjirin me gishta duke kërkuar gunga ose ndryshime.
• Vetëekzaminimi i gjireve: ju vetë i palponi gjiret tuaja duke kërkuar gunga ose ndryshime.
Si të kryeni saktë vetëekzaminimin e gjirit shikoni këtu: Vetëekzaminimi i gjireve
Është e rëndësishme të theksohet se këto ekzaminime janë të pandëmshme, por nuk kanë treguar efikasitet të lartë në parandalimin e kancerit të gjirit dhe nuk duhet të zëvendësojnë mamografinë.
Cilat janë udhëzimet e përgjithshme për skrinimin e kancerit të gjirit?
Mjeku juaj do të përcaktojë kur dhe sa shpesh duhet të bëni skrinim bazuar në vlerësimin e rrezikut nga kanceri i gjirit. Ky vlerësim parashikon mundësinë e zhvillimit të kancerit të gjirit bazuar në faktorë si:
• prania e mutacioneve gjenetike BRCA (Lexoni: Gjenet BRCA dhe kanceri i gjirit)
• historia familjare e kancerit të gjirit
• mosha
• dendësia e indit të gjireve (Lexoni: Çfarë do të thotë të kesh ind të dendur të gjirit)
Kur mjeku vlerëson rrezikun tuaj total, do të rekomandojë kur dhe sa shpesh duhet të bëni mamografi.
Udhëzime të përgjithshme:
• Nëse jeni mes 40 dhe 74 vjeç dhe keni rrezik mesatar, rekomandohet mamografi çdo një deri në dy vjet
• Nëse keni rrezik më të lartë, mund t'ju duhet mamografi çdo vit deri në moshën 74 vjeç dhe mamografia e parë para moshës 40 vjeç
• Nëse keni rrezik mesatar, mamografia e parë duhet bërë më së voni deri në moshën 40 vjeç
Mjeku juaj është personi më i mirë me të cilin duhet të bisedoni për shpeshtësinë dhe llojin e ekzaminimeve.
Përparësitë dhe rreziqet
Cilat janë përparësitë dhe rreziqet e skrinimit të kancerit të gjirit?
Përparësia e skrinimit të kancerit të gjirit qëndron në faktin që mundëson zbulimin e kancerit në stadet më të hershme, kur është më i lehtë për t'u trajtuar. Kjo shpëton shumë jetë.
Rreziqet e këtyre testeve janë të vogla në krahasim me rreziqet nëse kanceri i gjirit mbetet i pazbuluar. Disa teste mund t'ju ekspozojnë ndaj dozave të ulëta të rrezatimit. Gjithashtu, është e mundur të merret rezultat jo i saktë (i gabuar), për shkak të kësaj mjekët shpesh rekomandojnë më shumë se një test.
Rezultatet dhe ndjekja e mëtejshme
Çfarë rezultatesh mund të merrni nga skrinimi i kancerit të gjirit?
Mjekët përdorin një mjet të quajtur BI-RADS për raportimin e shumicës së rezultateve të skrinimit të kancerit të gjirit. Kjo është një mënyrë e standardizuar për të përshkruar gjetjet e imazherisë së gjireve, e cila u ndihmon pacientëve të kuptojnë rezultatet. Ekzistojnë gjashtë kategori dhe secila ka kuptimin e vet. Nëse rezultatet nuk ju janë të qarta, kontaktoni mjekun tuaj që t'jua shpjegojë më në detaje.
Më shumë për këtë temë mund të lexoni në linkun në vijim: Sistemi BI-RADS: Kategorizimi i gjetjeve të imazherisë së gjireve
Shumica e rezultateve të skrinimit janë të disponueshme brenda disa ditëve pune, megjithëse kjo mund të varet nga faktorë të ndryshëm. Mjeku juaj mund t'ju thotë kur saktësisht të prisni rezultatet.
Çfarë të bëj nëse rezultatet e mia janë jonormale?
Një gjetje jonormale në një test skrinimi nuk do të thotë se keni kancer gjiri. Kjo vetëm do të thotë që nevojiten teste shtesë. I vetmi test që mund të konfirmojë me siguri diagnozën e kancerit të gjirit është biopsia e gjirit.
Më shumë për këtë temë mund të lexoni në linkun në vijim: Biopsia e gjirit.
Kur duhet të kontaktoni mjekun tuaj?
Kontaktoni mjekun tuaj nëse:
• keni pyetje se kur duhet të bëni mamografinë e parë ose të radhës
• vëreni simptoma të reja dhe të pazakonta si sekretim nga thumbi, thumb i tërhequr, ndryshime në lëkurën e gjirit ose gunga
• keni pyetje rreth rezultateve të skrinimit
Ju ftojmë të lexoni edhe tekste të tjera në blogun tonë që trajtojnë tema të zbulimit të hershëm, parandalimit dhe mbështetjes për personat e prekur nga kanceri i gjirit.
Burimi: Cleveland Clinic




