Diagnoza e kancerit të gjirit: Çfarë pason?
12. dhjetor 2025.

Diagnozuar së fundmi me kancer të gjirit
Një diagnozë e re mund të jetë shumë për t'u përballuar. Në tekstin që vijon ju ofrojmë informacione dhe mbështetje që mund t'ju sjellin lehtësim.
Marrja e diagnozës së kancerit të gjirit mund të jetë shumë e vështirë dhe rraskapitëse. Është e natyrshme të ndiheni të hutuar ose të keni shumë pyetje – jo vetëm rreth vetë diagnozës dhe mundësive të trajtimit, por edhe për gjëra si ndikimi në jetën tuaj profesionale dhe private.
Jemi këtu për t'ju ndihmuar të gjeni përgjigje për pyetjet tuaja, në mënyrë që të mund të përqendroheni në marrjen e trajtimit më të mirë të mundshëm për ju.
Kuptimi i diagnozës suaj
Raporti juaj patohistologjik (raporti i ekzaminimit të mostrës së indit) është thelbësor për të kuptuar diagnozën tuaj. Pasi të bëni biopsinë ose operacionin e heqjes së kancerit të gjirit, një mjek i quajtur patolog kryen ekzaminime të ndryshme në indin e hequr. Rezultatet e këtyre ekzaminimeve përbëjnë raportin tuaj patohistologjik.
Duke dhënë një pamje më të qartë se si duket dhe si sillet kanceri, rezultatet e këtyre testeve ju ndihmojnë juve dhe mjekut tuaj të zgjidhni trajtimin më të përshtatshëm për diagnozën tuaj specifike.
Ju rekomandojmë të lexoni edhe këtë tekst: Raporti patologjik: llojet e informacionit dhe Analiza e mostrave citologjike dhe bioptike
Planifikimi i trajtimit
Plani juaj i trajtimit të kancerit të gjirit mund të përfshijë një ose më shumë forma të terapisë – si radioterapia, kimioterapia, terapia hormonale ose lloje të tjera trajtimi.
Planet e trajtimit kanë dy qëllime kryesore:
të shkatërrojnë qelizat kancerogjene
të zvogëlojnë rrezikun që kanceri të kthehet përsëri
Shumica e këtyre terapive jepen pas operacionit, por disa mund të aplikohen edhe para operacionit për të zvogëluar tumorin. Së bashku me mjekun tuaj do të hartoni planin e trajtimit më të përshtatshëm për ju.
Të menduarit për fertilitetin
Nëse dëshironi të keni fëmijë biologjikë në të ardhmen, është e rëndësishme që sa më herët të flisni me mjekun tuaj se si trajtimi mund të ndikojë në fertilitetin tuaj (aftësinë për të mbetur shtatzënë). Disa forma të trajtimit të kancerit të gjirit mund ta bëjnë shtatzëninë të vështirë ose të pamundur pas përfundimit të terapisë.
Një specialist i fertilitetit ose gjinekolog mund të diskutojnë me ju opsionet e mundshme për mbrojtjen e fertilitetit.
Rekomandimi ynë është të lexoni këtë tekst për më shumë informacione: Shtatzënia pas kancerit të gjirit.
Marrja e një mendimi të dytë
Ndoshta ndiheni me nevojë urgjente për të filluar trajtimin sa më shpejt. Megjithatë, në shumicën e rasteve ka kohë të mjaftueshme për të kërkuar një mendim të dytë nga një mjek tjetër.
Mendimi i dytë mund t'ju japë një ndjenjë sigurie nëse konfirmon diagnozën fillestare dhe planin e propozuar të trajtimit. Mjeku tjetër gjithashtu mund t'ju propozojë mundësi trajtimi për të cilat më parë nuk keni menduar.
Marrja e vendimeve për operacionin
Operacioni i heqjes së kancerit është zakonisht – por jo gjithmonë – hapi i parë në trajtimin e kancerit të gjirit. Nëse mjeku ju rekomandon të filloni trajtimin me operacion, së bashku me ekipin mjekësor do të vendosni nëse për ju është më e përshtatshme:
lumpektomia (operacion me të cilin hiqet tumori dhe një pjesë e vogël e indit përreth të gjirit) ose
mastektomia njëanshme ose dyanshme (heqja e njërit ose të dy gjinjve).
Gjithashtu mund të diskutoni për mundësitë e rikonstruksionit të gjirit nëse kjo është e rëndësishme për ju.
Kujdesi për shëndetin mendor dhe emocional
Është e kuptueshme nëse pas një diagnoze të re të kancerit të gjirit ndiheni nën stres, të trishtuar ose të frikësuar. Me shumë vizita dhe terapi mjekësore, mund të jetë e vështirë të vendosni mirëqenien tuaj emocionale në vend të parë.
Megjithatë, shëndeti juaj mendor dhe emocional është po aq i rëndësishëm sa ai fizik, dhe ka ndihmë të disponueshme. Nëse nuk e dini nga t'ia filloni, flisni me onkologun tuaj ose me mjekun e familjes.
Bisedimi me familjen dhe miqtë për kancerin e gjirit
T'u thuash njerëzve më të afërt se je diagnostikuar me kancer të gjirit mund të jetë e vështirë. Edhe pasi ta ndani lajmin, mund të jetë sfiduese të flitet hapur për atë se si ndiheni dhe çfarë lloj mbështetjeje ju nevojitet.
Me kalimin e kohës mund të gjeni mënyrën e komunikimit që ju vjen natyrshëm – qoftë përmes bisedave të shkurtra, mesazheve me shkrim, ose me ndihmën e një anëtari të familjes apo këshilltari.
Rekomandimi ynë është të lexoni edhe këtë tekst: Si t'u tregoni të tjerëve që keni kancer?
Mbajtja e zakoneve të shëndetshme
Për shkak të stresit pas një diagnoze të re, nuk është e habitshme nëse ju janë prishur zakonet e zakonshme të gjumit, ushqimit dhe stërvitjes.
Megjithatë, përpjekja për të:
fjetur mjaftueshëm
ngrënë ushqim sa më të shëndetshëm dhe të larmishëm
përfshirë aktivitetin fizik në orarin tuaj
Aktiviteti fizik mund t'ju japë edhe mbështetje fizike edhe psikologjike gjatë kësaj periudhe të vështirë. Ushtrimet mund të zvogëlojnë efektet anësore të trajtimit dhe të ulin rrezikun që kanceri i gjirit të kthehet.
Më shumë rreth kësaj teme mund të lexoni në këto tekste: Aktiviteti fizik dhe kanceri i gjirit, Ushqyerja për sistemin imunitar të dobësuar dhe Përfitimet e ushqyerjes së mirë gjatë trajtimit të kancerit të gjirit
Përballimi i jetës së përditshme
Edhe pasi të kaloni fazën urgjente të vendosjes së diagnozës dhe planifikimit të trajtimit, në jetën e përditshme mbeten shumë gjëra për t'u marrë në konsideratë: çështje financiare, mbajtja e punës, ndryshimet e zakoneve të jetesës, ruajtja dhe organizimi i dokumentacionit dhe raporteve mjekësore.
Si të përballoni ruajtjen e aspektit profesional të jetës? Lexoni më shumë në lidhjen e mëposhtme: Balancimi i punës gjatë trajtimit të kancerit.
Lidhja me të tjerë që kuptojnë
Grupet e mbështetjes ju mundësojnë të flisni për përvojat tuaja dhe të lidheni me persona të tjerë që kalojnë sfida të ngjashme. Bisedimi me dikë që e kupton çfarë po kaloni mund të zvogëlojë ndjenjën e vetmisë dhe t'ju japë këshilla praktike dhe inkurajim.
Në blogun tonë ofrojmë shumë informacione të dobishme.
Burimi: Breastcancer.org




