Për pacientët / Blog

A mund ta zvogëloj rrezikun e përparimit ose kthimit të kancerit të gjirit?

29. gusht 2025.

A mund ta zvogëloj rrezikun e përparimit ose kthimit të kancerit të gjirit?

Nëse keni (ose keni pasur) kancer të gjirit, ka gjasa të doni të dini nëse ka gjëra që mund t'i bëni (përveç trajtimit) për të zvogëluar rrezikun që kanceri të përhapet ose të kthehet, si aktiviteti fizik, një lloj i caktuar ushqyeshmërie ose marrja e suplementeve. Për fat të mirë, kanceri i gjirit është një nga llojet e kancerit më të studiuara në këtë aspekt, dhe hulumtimet kanë treguar se ekzistojnë disa masa që mund të jenë të dobishme.

Të qëndruarit sa më i shëndetshëm është më i rëndësishëm se kurrë pas trajtimit të kancerit të gjirit. Kontrolli i peshës trupore, aktiviteti fizik dhe ushqyeshmëria e shëndetshme mund t'ju ndihmojnë të zvogëloni rrezikun e kthimit të kancerit të gjirit, por edhe t'ju mbrojnë nga probleme të tjera shëndetësore.

Arritja e një peshe trupore të shëndetshme

Nëse keni pasur kancer të gjirit, arritja dhe ruajtja e një peshe trupore të shëndetshme mund të ndihmojë në zvogëlimin e rrezikut. Shumë hulumtime sugjerojnë se pesha e tepërt trupore (mbipesha ose obeziteti) rrit rrezikun e kthimit të kancerit të gjirit. Ajo lidhet gjithashtu me një rrezik më të lartë të zhvillimit të limfedemës, si dhe me një rrezik më të lartë të vdekjes nga kanceri i gjirit.

Megjithatë, ka më pak hulumtime që tregojnë nëse humbja e peshës gjatë ose pas trajtimit vërtet mund të zvogëlojë rrezikun e kthimit të kancerit të gjirit. Studime të mëdha po e shqyrtojnë aktualisht këtë çështje. Situatën e ndërlikon më tej fakti se shumë gra shtojnë peshë gjatë trajtimit të kancerit të gjirit (edhe pse nuk përpiqen për këtë), gjë që vetvetiu mund të rrisë rrezikun.

Sigurisht, për gratë që kanë peshë të tepërt trupore, arritja e një peshe të shëndetshme mund të sjellë edhe përfitime të tjera shëndetësore. Për shembull, humbja e peshës përmirëson cilësinë e jetës dhe funksionalitetin fizik te të mbijetuarat e kancerit të gjirit që kanë kilogramë të tepërt. Ajo mund të zvogëlojë gjithashtu rrezikun e llojeve të tjera të kancerit (përfshirë një kancer të ri të gjirit), si dhe disa lloje sëmundjesh kronike.

Për shkak të përfitimeve të mundshme shëndetësore të humbjes së peshës, shumë mjekë tani u këshillojnë grave me kilogramë të tepërt që të arrijnë dhe ruajnë një peshë trupore të shëndetshme. Edhe humbja e disa kilogramëve mund të jetë e dobishme. Megjithatë, është e rëndësishme të flisni me mjekun tuaj para se të përpiqeni të humbisni peshë, veçanërisht nëse jeni ende në trajtim ose sapo e keni përfunduar atë. Mjeku juaj mund t'ju ndihmojë të hartoni një plan për humbje të sigurt të kilogramëve.

Aktiviteti fizik

Te personat që kanë mbijetuar kancerin e gjirit, hulumtimet kanë treguar një lidhje të qëndrueshme mes aktivitetit fizik dhe rrezikut më të vogël të kthimit të kancerit të gjirit dhe vdekjes për shkak të kancerit të gjirit, si dhe vdekjes nga çdo shkak. Aktiviteti fizik lidhet gjithashtu me përmirësimin e cilësisë së jetës, funksion fizik më të mirë dhe lodhje të zvogëluar.

Nuk është krejtësisht e qartë sa aktivitet nevojitet, por duket se më shumë – është më mirë. Aktiviteti fizik më intensiv mund të jetë më i dobishëm se ai më pak intensiv. Megjithatë, nevojiten hulumtime shtesë për ta saktësuar këtë.

Në të kaluarën, personave me limfedemë pas kancerit të gjirit shpesh u këshillohej të shmangnin ushtrime të caktuara për krahë dhe aktivitete intensive. Por studimet kanë treguar se një aktivitet i tillë fizik është i sigurt kur zbatohet siç duhet. Në fakt, ai mund të zvogëlojë edhe rrezikun e limfedemës ose të përmirësojë gjendjen te gratë që tashmë e kanë atë.

Lexoni edhe: Limfedema.

Ashtu si te ndryshimet e tjera të stilit të jetës, është e rëndësishme të flisni me mjekun tuaj para se të filloni një program të ri të aktivitetit fizik. Kjo ka të ngjarë të përfshijë edhe konsultime me një fizioterapeut. Ekipi juaj mund t'ju ndihmojë të hartoni një program të sigurt dhe efikas.

Ushqyeshmëria e shëndetshme

Shumica e hulumtimeve rreth lidhjes mes ushqyeshmërisë dhe rrezikut të kthimit të kancerit të gjirit janë fokusuar te modelet e përgjithshme të ushqyeshmërisë, e jo te ushqimet individuale. Në përgjithësi, nuk është e qartë nëse ndonjë lloj i veçantë ushqyeshmërie mund të zvogëlojë rrezikun e kthimit të kancerit të gjirit.

Hulumtimet kanë treguar se të mbijetuarit që hanë më shumë perime, fruta, drithëra të plota, mish pule dhe peshk kanë tendencë të jetojnë më gjatë se ata që hanë më shumë sheqerna të rafinuara, yndyra, mish të kuq (si viçi, derri dhe qengji) dhe mish të përpunuar (si proshuta, sallamet, produktet e tymosura dhe hot dogët). Megjithatë, nuk është e qartë nëse kjo lidhet me ndikimin te kanceri i gjirit apo me përfitimet e tjera shëndetësore të ushqyeshmërisë së shëndetshme.

Dy studime të mëdha (të njohura si WINS dhe WHEL) hulumtuan ndikimin e uljes së marrjes së yndyrave pas diagnostikimit të kancerit të gjirit në stad të hershëm. Një studim tregoi se gratë që ishin në dietë me pak yndyrë kishin një rrezik pak më të ulët të kthimit të kancerit, por këto gra kishin humbur edhe peshë për shkak të dietës, gjë që mund të ketë ndikuar në rezultate. Studimi tjetër nuk gjeti lidhje mes dietës me pak yndyrë dhe rrezikut të kthimit të kancerit.

Shumë gra pyesin nëse është e sigurt të konsumojnë produkte soje pas diagnozës së kancerit të gjirit. Ushqimi me sojë është i pasur me përbërje të quajtura izoflavone, të cilat mund të kenë efekte të ngjashme me estrogjenin në trup. Disa hulumtime kanë sugjeruar se marrja e ushqimit me sojë mund të zvogëlojë rrezikun e kthimit të kancerit të gjirit, edhe pse nevojiten hulumtime shtesë për ta konfirmuar këtë. Megjithëse konsumimi i ushqimit me sojë nuk duket të përbëjë rrezik, dëshmitë për efektet e suplementeve që përmbajnë sojë ose izoflavone – të cilat shpesh përmbajnë sasi shumë më të mëdha të këtyre përbërjeve – nuk janë të qarta.

Edhe pse lidhjet mes dietave specifike dhe kthimit të kancerit të gjirit nuk janë konfirmuar, është e qartë se ushqyeshmëria e shëndetshme ka përfitime të shumta. Për shembull, ushqyeshmëria me bazë bimore shpesh ndihmon në arritjen dhe ruajtjen e një peshe trupore të shëndetshme. Ushqyeshmëria e shëndetshme mund të zvogëlojë gjithashtu rrezikun e problemeve të tjera të zakonshme shëndetësore, si sëmundjet e zemrës dhe diabeti.

Suplementet

Gratë shpesh duan të dinë nëse ekzistojnë suplemente ushqimore apo nutritive që mund t'i marrin për të zvogëluar rrezikun. Deri më tani, asnjë suplement (përfshirë vitaminat, mineralet dhe preparatet bimore) nuk është vërtetuar qartë se ndihmon në zvogëlimin e rrezikut të përparimit apo kthimit të kancerit të gjirit. Kjo nuk do të thotë se asnjë prej tyre nuk mund të ndihmojë, por është e rëndësishme të dihet se asnjë nuk është konfirmuar shkencërisht në këtë drejtim.

Suplementet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk rregullohen si barnat – ato nuk duhet të vërtetojnë efikasitetin (apo edhe sigurinë) përpara se të fillojnë të shiten, edhe pse ekzistojnë kufizime lidhur me atë çfarë prodhuesit mund të pretendojnë se bëjnë suplementet. Nëse mendoni të merrni ndonjë suplement, flisni me mjekun tuaj. Ai mund t'ju ndihmojë të vendosni cilat suplemente mund t'i përdorni në mënyrë të sigurt dhe cilat duhet t'i shmangni.

Alkooli

Është e qartë se alkooli – edhe vetëm disa pije në javë – rrit rrezikun e një gruaje për zhvillimin e kancerit të gjirit. Megjithatë, nuk është krejtësisht e qartë nëse alkooli ndikon në rrezikun e kthimit të kancerit të gjirit. Konsumimi i alkoolit mund të rrisë nivelin e estrogjenit në trup, gjë që teorikisht mund të rrisë rrezikun e kthimit të kancerit të gjirit. Megjithatë, nuk ka dëshmi të forta nga studimet që e konfirmojnë këtë.

Më e mira është të mos konsumoni alkool fare. Gratë që megjithatë pinë, duhet ta kufizojnë marrjen në më së shumti një pije në ditë për të zvogëluar rrezikun e zhvillimit të llojeve të caktuara të kancerit (përfshirë kancerin e gjirit). Te gratë që kanë përfunduar trajtimin e kancerit, ndikimi i alkoolit në rrezikun e kthimit të kancerit nuk njihet mjaftueshëm.

Për shkak të kompleksitetit të kësaj çështjeje, është e rëndësishme të flisni për këtë me mjekun tuaj, duke marrë parasysh rrezikun tuaj për kthimin e kancerit të gjirit (ose shfaqjen e kanceve të tjera) dhe rrezikun e problemeve të tjera shëndetësore që lidhen me konsumimin e alkoolit.

Nëse kanceri kthehet

Nëse kanceri i gjirit kthehet, mundësitë e trajtimit varen nga vendi ku është kthyer kanceri, cilat trajtime keni marrë më parë, si dhe nga gjendja juaj aktuale shëndetësore dhe preferencat personale. Për më shumë informacione shihni tekstin: Kanceri i gjirit i përsëritur/recidivues.

Mos harroni të lexoni edhe tekstet e tjera në blogun tonë.

Disa nga tekstet e dobishme janë edhe: Pyetjet më të shpeshta rreth recidivit të kancerit të gjirit dhe Kanceri metastatik i gjirit.

Burimi: American Cancer Society