Pyetje për mjekun tuaj rreth kancerit të gjirit
29. maj 2024.

Është e rëndësishme që të mund të flisni sinqerisht dhe hapur me mjekët tuaj dhe ekipin mjekësor rreth kancerit të gjirit. Ata duhet t'u përgjigjen të gjitha pyetjeve tuaja në mënyrë që së bashku të mund të merrni vendime për trajtimin bazuar në informacione të verifikuara.
Ja disa pyetje që mund t'ju ndihmojnë të kuptoni më mirë sëmundjen tuaj dhe mundësitë e trajtimit që keni. Mund të shkruani shënime dhe të njoftoni mjekët ose infermierët kur nuk kuptoni çfarë thonë. Mbase do të ishte mirë të merrni edhe dikë me vete në takimet me mjekun që të shkruajë shënime dhe t'ju ndihmojë të kujtoni çfarë është thënë.
Jo të gjitha këto pyetje janë të zbatueshme për situatën tuaj, por mund t'ju ndihmojnë të filloni. Sigurohuni të shkruani edhe pyetjet tuaja. Për shembull, mbase do të dëshironi më shumë informacione për kohën e shërimit ose të pyesni për grupe mbështetëse pranë jush apo online, ose ku mund të bisedoni me gra tjera që po kalojnë nëpër situata të ngjashme. Gjithashtu, mund të pyesni nëse plotësoni kushtet për ndonjë studim klinik.
Kini parasysh që mjekët nuk janë të vetmit që mund t'ju japin informacione. Punonjës tjerë shëndetësorë, si infermierët, gjithashtu mund t'u përgjigjen disa pyetjeve tuaja.
Pyetje në momentin kur ju thuhet se keni kancer të gjirit:
- Cili është saktësisht lloji i kancerit të gjirit që kam?
- Sa i madh është kanceri? Ku ndodhet saktësisht?
- A është përhapur kanceri në nyjet limfatike ose organe tjera?
- Cili është stadi i kancerit tim? Çfarë do të thotë kjo saktësisht?
- A do të më duhen kontrolle shtesë para se të vendosim për trajtimin?
- A duhet të vizitoj mjekë ose punonjës tjerë shëndetësorë?
- Cilët janë receptorët hormonalë të kancerit tim? Çfarë do të thotë kjo saktësisht?
- Cili është statusi HER2 i kancerit tim? Çfarë do të thotë kjo?
- Cili është grada e kancerit tim? Çfarë do të thotë kjo?
- Si ndikojnë këta faktorë në mundësitë e mia të trajtimit dhe në prognozën afatgjatë?
- Cilat janë shanset e mia për mbijetesë, bazuar në njohuritë tuaja për kancerin tim?
- A duhet të mendoj për testim gjenetik për terapi biologjike? Cilat janë opsionet e mia për testim? A duhet të bëj test gjenetik për rrezik trashëgues për kancer? Cilat janë arsyet pro dhe kundër testimit?
- Si mund të marr një kopje të raportit tim patologjik?
- Kush mund të më ndihmojë lidhur me shpenzimet dhe sigurimin për diagnostikim dhe trajtim?
Kur vendosni për planin e trajtimit të kancerit:
- A duhet të kërkoj mendim të dytë? Si ta bëj këtë? A do ta vonojë kërkimi i mendimit të dytë trajtimin tim dhe a mund të ndikojë kjo në rezultat?
- Cilat janë opsionet e mia për trajtim?
- Cilin trajtim rekomandoni dhe pse?
- A duhet të mendoj për pjesëmarrje në një studim klinik?
- Cili do të ishte qëllimi i trajtimit?
- Sa shpejt duhet të filloj me trajtimin?
- Sa do të zgjasë trajtimi? Si do të duket? Ku do të zhvillohet?
- A duhet indi im biopsik të dërgohet për testim MammaPrint për të vendosur nëse kemoterapia do të më ishte e dobishme?
- A duhet të bëhen teste tjera molekulare ose proteinike në indin tim të kancerit për të vendosur mbi opsionet e trajtimit?
- Çfarë duhet të bëj për t'u përgatitur për trajtimin?
- Cilat janë rreziqet ose efektet anësore të trajtimeve të propozuara? A ka diçka që mund të bëj për të zvogëluar këto efekte anësore?
- Si do të ndikojë trajtimi në aktivitetet e mia të përditshme? A mund të vazhdoj të punoj me orar të plotë?
- A do të humbas flokët? Nëse po, çfarë mund të bëj lidhur me këtë?
- A do të hyj në menopauzë për shkak të trajtimit? A do të mund të kem fëmijë pas trajtimit? A do të mund të ushqej me gji?
- A kam kohë të ngrij vezët e mia para fillimit të trajtimit? Cilat janë opsionet e mia?
- Cilat janë shanset që kanceri të kthehet pas këtij trajtimi?
- Çfarë do të bëjmë nëse trajtimi nuk funksionon ose nëse kanceri kthehet?
Nëse ju duhet operacion:
- A është opsion për mua operacioni ruajtës i gjirit (lumpektomia)? Pse po apo pse jo?
- Cilat janë anët pozitive dhe negative të operacionit ruajtës të gjirit në krahasim me mastektominë?
- A do të duhet të hiqen nyjet limfatike? Nëse po, a rekomandoni biopsinë e nyjes limfatike sentinel? Pse po apo pse jo?
- Cilat efekte anësore mund të shkaktojë heqja e nyjeve limfatike?
- Sa kohë do të qëndroj në spital?
- A do të kem qepje ose klamer në vendin e operacionit? A do të ketë dren (tub) që del nga ai vend?
- Si të kujdesem për vendin e operacionit? A do të më duhet dikush që të më ndihmojë?
- Si do të duken dhe si do të ndihen gjinjtë e mi pas operacionit? A do të kem ndjesi normale në to?
- A është opsion rindërtimi i gjirit nëse e dëshiroj? Çfarë do të thotë kjo në rastin tim?
- A mund të bëj rindërtimin në të njëjtën kohë kur hiqet kanceri? Cilat janë arsyet pro dhe kundër ta bëjmë këtë menjëherë apo më vonë?
- Cilat lloje rindërtimi mund të jenë opsione për mua?
- A mund të më rekomandoni një kirurg plastik me të cilin mund të bisedoj për opsionet e rindërtimit?
- A duhet të përdor një protezë gjiri dhe nëse po, ku mund ta gjej?
- A duhet të ndalem së marri ndonjë ilaç apo suplement ushqimor para operacionit?
- Kur duhet të telefonoj departamentin tuaj nëse kam efekte anësore apo shqetësime?
Gjatë trajtimit:
- Si do ta dimë nëse trajtimi po funksionon?
- A ka diçka që mund të bëj për të ndihmuar në menaxhimin e efekteve anësore?
- Cilat simptoma apo efekte anësore duhet t'i raportoj menjëherë?
- A duhet të ndryshoj dietën gjatë trajtimit?
- A ka kufizime në atë që mund të bëj?
- A mund të stërvitem gjatë trajtimit? Nëse po, çfarë lloj ushtrimesh duhet të bëj dhe sa shpesh?
- A mund të më rekomandoni një specialist të shëndetit mendor që mund ta vizitoj nëse fillojë të ndihem e mbingarkuar, e dëshpëruar apo e shqetësuar?
- A do të më duhen teste të veçanta, si imazheri ose analiza gjaku gjatë trajtimit? Nëse po, sa shpesh?
Pas trajtimit:
- A duhet dietë të veçantë pas trajtimit?
- A ka kufizime në atë që mund të bëj?
- A jam në rrezik nga limfedema?
- Çfarë mund të bëj për të zvogëluar rrezikun e limfedemës?
- Çfarë duhet të bëj nëse vërej fryrje në krah?
- Cilat simptoma tjera duhet t'i ndjek? Çfarë ushtrimesh duhet të bëj tani?
- Çfarë lloj monitorimi do të më duhet pas trajtimit?
- Sa shpesh do të më duhen kontrolle, analiza gjaku ose imazherí?
- Si do ta dimë nëse kanceri është kthyer? Çfarë duhet të ndjek?
- Cilat opsione do të më jenë në dispozicion nëse kanceri kthehet?
Lexoni më shumë tema të ngjashme në Blogun tonë.
Burimi: American Cancer Society




